NATO: Trupat ruse kanë hyrë në Ukrainë

12/11/2014 00:00

Komandanti i lartë i NATO-s ka rideklaruar të mërkurën se trupat e Aleancës kanë parë trupa luftarake ruse të hyjnë në Ukrainë këtë javë.

“Tanke ruse, artilieri ruse, sisteme ruse të mbrojtjes dhe trupa luftarake kanë hyrë në Ukrainë këtë javë”, ka deklaruar gjenerali amerikan Philip Breedlove nga Bullgaria.

Rusia ka mohuar vazhdimisht dërgimin e trupave në lindje të Ukrainës për të mbështetur rebelët separatistë atje. Sidoqoftë, këta të fundit kanë pranuar në disa raste se po ndihmohen nga “vullnetarë” të ardhur nga Rusia.

Të shtëna artilierie të rëndë tronditën qytetin lindor të Donetskut, zona industriale e kontrolluar nga separatistët rusë, mëngjesin e së mërkurës.

Është ende e paqartë nëse zjarri erdhi nga forcat qeveritare ukrainase apo rebelët, apo nga të dyja palët. Gjithashtu ka pasur raportime për luftime në afërsi të qytetit tjetër të kontrolluar nga rebelët, Luhansk.

Një ushtar ukrainas u vra dhe një tjetër u plagos në veri të këtij qyteti, kur rebelët qëlluan pikat e trupave qeveritare në afërsi të fshatit Sçastja, njoftuan forcat e sigurisë.

Mbi 4 mijë persona kanë humbur jetën që kur forcat qeveritare ukrainase lëvizën në muajin prill në lindje të vendit për të frenuar rebelimin e pro-rusëve në dy krahinat në kufi me Rusinë.

Një marrëveshje për armëpushim u arrit në Minskë më 5 shtator, por megjithatë qindra persona janë vrarë që prej atëherë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi të martën se qeveria e saj nuk ishte e kënaqur me implementimin e deritanishëm të marrëveshjes së Minskut, por shtoi se për momentin Berlini nuk ka në plan të vendosë sanksione të tjera ekonomike ndaj Rusisë.

Top Channel