Miratohet në parim paketa fiskale, priten ndryshime për taskat

12/11/2014 00:00

Komisioni Kuvendor i Ekonomisë miratoi në parim paketën e re sipas
variantit të Qeverisë. Por Erjon Braçe, la të kuptohet se gjatë votimit
nen për nen, deputetët do të bëjnë ndryshime.

“Bëhet fjalë vetëm për votimin në parim. Jam shumë i qartë që keni vërejtje për secilin nga nenet e këtyre projektligjeve. Do të diskutojmë të gjithat nenet në ditët e ardhshme. Por po flas për të hapur rrugën për të bërë ato ndryshime të domosdoshme, për të cilat kemi folur gjatë kësaj periudhe”, tha kreu i Komisionit, Braçe.

Pika më e përfolur është ajo që heq akcizën për pijet energjike, për të cilën deputetët e maxhorancës kanë shprehur rezerva të forta.

Akciza mbi këto produkte u vendos këtë vit, por siç e pranoi drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali tregtarët e kanë shmangur taksën.

“Ata kanë hequr nga përmbajtjet kanë hequr të gjitha produktet që e bëjnë një pije energjike. Ne e kemi referuar këtë gjë në të gjitha institucionet, në Ministrinë e Financave, në Ministrinë e Ekonomisë dhe kemi thënë që institucione të tjera duhet të merren me mashtrimin ndaj konsumatorit”, tha Spiropali.

Të dhënat tregojnë se importi i deklaruar i pijeve energjike ra me tre herë nga 11 mijë tonë vitin e kaluar, në 3 mijë e 300 tonë këtë vit. Në të njëjtën kohë çmimi i tyre në treg është rritur, duke bërë që konsumatorët ta paguajnë taksën shtesë edhe pse ajo nuk ka përfunduar në buxhet, por në xhepat e tregtarëve, përmes një skemë të ngjashme me atë të cigareve. 

Top Channel