Tensione mes Azerbaixhanit dhe Armenisë

12/11/2014 00:00

Ministria e Mbrojtjes në Azerbaixhan ka deklaruar se trupat e saj kanë qëlluar dhe rrëzuar një helikopter ushtarak armen, që kishte shkelur hapësirën e tyre ajrore.

Tre anëtarët e ekuipazhit kanë mbetur të vrarë nga goditja, raportojnë mediat lokale që citojnë autoritetet qeveritare.

Helikopteri po fluturonte në territorin e diskutueshëm Nagorno Karabakh, një enklavë në perëndim të Azerbaixhanit që kontrollohet nga banorë me etni armene.

Baku zyrtar deklaroi se helikopteri i tipit “Mi-24” u qëllua në afërsi të vijës së frontit që ndan trupat azere nga ato armene. Edhe krerët e separatistëve në Nagorno konfirmuan sulmin, duke thënë se ndodhi gjatë një fluturimi stërvitor.

Tensionet në rajon datojnë dekada më parë. Një luftë shpërtheu në vitin 1988 gjatë perëndimit të sundimit sovietik në Azerbaixhan, me separatistët armenë që zhvilluan një luftë të përgjakshme ndaj ushtrisë së këtij vendi.

Në bazë të një marrëveshjeje armëpushimi në vitin 1994, Nagorno dhe 7 rajone të tjera u lanë nën kontrollin e armenëve etnikë. Incidenti i së mërkurës ishte i pari i këtij lloji që nga nënshkrimi i marrëveshjes.

Top Channel