Misioni “Rosetta”, sonda “Philae” ulet mbi kometë

12/11/2014 00:00

Sonda Philae është ulur me sukses, një ngjarje historike, në një kometë, pasi u shkëput nga anija “mëmë”, moment i cili është raportuar gjatë paradites i fotografuar dhe bashkangjitur me të një mesazh nga shkencëtarët “Hej, ESA Rosetta, e more kartolinën time të parë?”.

Agjencia që po merret me misionin e uljes së sondës në kometën Rosetta njoftoi se “nuk ka më kthim pas tashmë”, pasi Philae u shkëput rreth orës 08:30 me orën europiane (03:30 me orën lokale) për një zbritje prej rreth 7 orësh në kometën që ndodhet rreth 500 milionë kilometra larg Tokës.

Zbritja raportohet të jetë bërë me sukses, ndaj dhe kjo është hera e parë që një sondë ulet mbi një kometë. Kontrollorët e misionit thonë se përgatitjet shkuan shumë mirë. Drejtori i operacioneve të fluturimit, Andrea Accomazzo, tha më herët se “e pamë sondën të zbriste në drejtimin e duhur”.

Philae, së cilës iu deshën 10 vjet të fiksohej në anë të Rosettas gjatë udhëtimit të saj përreth sistemit diellor, nuk do të mund të komandohet më. Me t’u ulur në kometë, gjithçka që do të ndodhë është në liri të plotë.

Shkencëtarët shpresojnë që sonda të ndihmojë në mësimin e më shumë të dhënave mbi përbërjen e kometave dhe se si reagojnë ato kur mbërrijnë pranë Diellit. Sonda Philae, sa për kuriozitet, ka një peshë dhe përmasë përafërsisht të ngjashme me një lavatriçe, por është shumë më e “zgjuar” se sa pajisja elektroshtëpiake.

Top Channel