Ukrainë, ushtria përgatitet për kundërpërgjigje

12/11/2014 00:00

Forcat qeveritare ukrainase janë dislokuar në përgatitje të një ofensive të re prej separatistëve prorusë në rajonet lindore, bëri të ditur ministri ukrainas i Mbrojtjes, Stepan Poltorak, gjatë së mërkurës.

Ai tha gjatë një takimi qeveritar se rebelët kanë marrë përforcime, pavarësisht armëpushimit të arritur më 5 shtator, i cili është shkelur vazhdimisht.

“Po ripozicionojmë Forcat tona të Armatosura, për t’iu përgjigjur çdo veprimi të luftëtarëve rebelë”, tha Poltorak. “Shoh se detyra ime kryesore është të përgatitem për veprime ushtarake”.

Një zëdhënës i ushtrisë tha se rebelët kishin shtuar praninë e forcave të tyre, përfshi përreth qytetit port të Mariupolit, në juglindje, kontrolli i të cilit do të hapte rrugën drejt territoreve në jug të Ukrainës.

Kievi tha se autokolona tankesh dhe kamionësh me trupa ushtarakë kanë kaluar kufirin në lindje të Ukrainës nga Rusia, duke nisur nga e enjtja e kaluar, ndërsa zyrtarë të OSBE-së, në rolin e vëzhguesve të sigurisë, kanë pikasur lëvizjen e këtyre kamionëve të armatosur rëndë.

Rusia ka mohuar vazhdimisht mbështetjen ushtarake ndaj rebelëve në konfliktin në fjalë, gjatë të cilit kanë humbur jetët më shumë se 4 mijë njerëz, që prej mesit të muajit prill.

Top Channel