Meta: Mbështetje prodhimit bujqësor

12/11/2014 00:00

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, në një takim me fermerë në Lushnje e Fier tha se qeveria do të mbështesë rritjen e prodhimit bujqësor vendas për eksport, përmes stimulimit të teknologjive të reja në këtë sektor.

“Është elementi kryesor i stimulimit në fushën e bujqësisë dhe prioritet do të jetë rritja e kapaciteteve të prodhimit me sera. Jo vetëm mbështetja për subvencionimin e lëndës djegëse, por stimulimi i teknologjive të reja që ulin koston e ngrohjes, sepse kjo është vendimtare që aktivitetet të jenë të suksesshme”, deklaroi Meta.

Meta tha se fermerët do të përfitojnë subvencionim për plasmasin në mënyrë të veçantë dhe për vaditjen me pika.

Ndërsa zv.ministri i Bujqësisë, Alban Zusi tha se në paketën e saj të masave në mbështetje të biznesit agro-industrial, qeveria ka parashikuar zerimin e kostove të regjistrimit për farat, fidanët e pesticidet të cilat janë dhe inputet bazë në këtë sektor.

Vetë fermerët i kërkuan qeverisë të marrë masa për ndalimin e farave me cilësi të ulët që mund të futen në tregun shqiptar.

Top Channel