Lufta kundër korrupsionit, replika PS-Llalla

12/11/2014 00:00

Deputeti socialist Pandeli Majko dhe prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla u përfshinë në një debat në lidhje me luftën ndaj korrupsionit.

Majko i tërhoqi vëmendjen prokurorit se, përveç deklaratave në media për hetim ministrash, në luftën ndaj korrupsionit është bërë fare pak dhe nuk ka transparencë në emërime. Por kreu i prokurorisë i mëshoi sërish faktit të hetimeve ndaj ministrave aktualë.

“Shqetësimi ynë është se marrëdhënia me korrupsionin në shtetin tonë është e diskretituar. Ju jeni institucioni përgjegjës, na thoni qartë lidhjet me institucionet e tjera që varen prej jush. Ju jeni e njëjta trupë që keni qenë dhe e trajtoni problemin sikur s’ka ndodhur asgjë dhe prisni ta zgjidhni me shtimin e buxhetit dhe personelit? Ky është problemi kryesor në luftë kundër korrupsioni? Apo deklaratat tuaja se do ndodhin gjëra të jashtëzakonshme nga hetimet? Apo nga ato që thoni në media se po hetoni disa ministra? Nuk janë sekrete hetimore këto?”, deklaroi deputeti Pandeli Majko.

“Që nga marrja e detyrës nuk është bërë asnjë emërim, transferim, ulje apo ngritje në detyrë në kundërsht me ligjin. Çdo gjë ka qenë transparente. E përsëris se problematika e prokurorisë është mungesat në stafin e saj. Nuk mundet që një numër kaq i vogël prokurorësh të përballet me tërë këtë sfidë të shoqërisë. Nëse ju shqetësoheni për deklaratat e mia mbi hetimet, ky është problemi juaj perosnal. Unë ato i përmend sërish. Kemi disa procese hetimi që do të sjellin reuzltatet e tyre”, u përgjigj nga ana e tij Llalla.

Prokurori i përgjithshëm ishte thirrur nga komisioni i ligjeve për të raportuar në lidhje me progres-raportin e 2014-s. Zoti Llalla tha përpara deputetëve se mbetet prioritet lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai tha se ka një rritje me 30 për qind të proçedimeve në luftën ndaj krimit.

Top Channel