Divorci, “lufta” që shkatërron fëmijët

12/11/2014 00:00

Një grua e divorcuar, e cila është ende në proces gjyqësor me ish-bashkëshortin e saj për të përcaktuar kujdestarinë mbi dy fëmijët e çiftit, ka rrëfyer këtë të mërkurë në “Pasdite në Top Channel” të gjithë historinë dhe peripecitë e përjetuara në një periudhë rreth 2-vjeçare, gjatë së cilës është përpjekur të nisë një jetë të re, por për fëmijët – për shkak se ashtu iu është thënë nga babai – ajo rezultonte e vdekur deri kur u vunë përballë saj.

TCH: I je drejtuar pak kohë më parë Gjykatës së Tiranës, me një kërkesë-padi për divorc. Çfarë të shtyu të kërkoje divorcin?

Gruaja e divorcuar:
Më kanë shtyrë fëmijët e mi, që unë të kërkoja divorcin dhe të bëja një kërkesë për t’i marrë nën kujdestari ata.

TCH: Kishit probleme gjatë martesës me ish-bashkëshortin?

Gruaja e divorcuar: Po, kishim probleme nga më të ndryshmet, që na shtynë deri në ndarje.

TCH: Arriti në një ndarje pa letra fillimisht, apo jo?

Gruaja e divorcuar: Po, në fillim pa letra.

TCH: Sa të vegjël kanë qenë fëmijët kur ti je larguar?

Gruaja e divorcuar: Kanë qenë 3 vjeç dhe 5 vjeç. Kam dy djem.

TCH: Fillimisht ti u ndave dhe dole të jetosh më vete…?

Gruaja e divorcuar: Pas një debati shumë të madh, që u bë pas ikjes sime, unë u përpoqa me forcë të merrja fëmijët, por ata ishin shumë veta dhe nuk më lejuan. U largova të bëja një jetë më vete, e më pas u drejtova në gjykatë.

TCH: Pas sa kohësh je drejtuar në gjykatë?

Gruaja e divorcuar: Ndoshta pas një viti e gjysmë apo dy, nuk e mbaj mend mirë periudhën.

TCH: Pse t’u desh kaq shumë kohë të kërkoje fëmijët në rrugë ligjore?

Gruaja e divorcuar: Kisha një vit e disa muaj që flisja me ish-bashkëshortin në telefon. I shikoja fëmijët nga larg, por u përpoqa të nisja më parë një jetë më vete, që kur të arrij t’i marr ata të kem çfarë t’iu jap.

TCH: Gjatë këtij një viti e gjysmë, çfarë u është thënë fëmijëve në lidhje me ty? Çfarë dinin ata për mamanë e tyre, edhe pse ishin shumë të vegjël…?

Gruaja e divorcuar: Kur u largova, në fillim u thanë se kam ikur. Gjatë muajve të parë, ish-bashkëshorti dhe ish-vjehrri im bënin kërkesë te babai im që unë të kthehesha sërish. Por kjo ishte e pamundur dhe nuk u bë. Atyre u flisnin për gjëra shumë të këqija, absurde dhe që nuk kishin lidhje fare me realitetin. Pas njëfarë kohe që fëmijët qanin dhe kërkonin me patjetër të më takonin, të më shihnin, ata u kishin thënë që unë kisha vdekur. I kanë mësuar gjëra që nuk janë aspak normale për një fëmijë 3-vjeçar. Ata kanë jetuar një pjesë të gjatë kohe pa ditur asgjë mbi ekzistencën time.

TCH: Një vit e gjysmë, asnjë kontakt me fëmijët e tu. Vetëm i shihje nga larg. Gjatë kësaj kohe, familja e tij po negocionte me ty që ti të riktheheshe, ndaj nuk iu drejtove gjykatës?

Gruaja e divorcuar: Po.

TCH: Çfarë ndodhi pas një viti e gjysmë? Si ishte përballja jote e parë pas kaq kohësh me fëmijët?

Gruaja e divorcuar: Unë flas me njerëzit e ish-bashkëshortit, përveç njerëzve që ka në shtëpi. Ata më treguan për këtë absurditet të madh, që fëmijët më dinin të vdekur. Madje më merrnin në telefon edhe më thonin që ai ka marrë fëmijët e kanë dalë në një vend të caktuar, kështu që dilju përpara të të shohin. Në atë moment kam qenë në orar pune faktikisht, kam lënë punën dhe u kam dalë përpara. Doja t’i takoja fëmijët, i thashë atij që të ndalonte për t’i folur pak minuta, por ai nuk pranoi. Nisi të bërtiste dhe po i tërhiqte zvarrë fëmijët, vetëm që unë mos i takoja. Ndërkohë që fëmijët rrinin si të shtangur, duke parë të habitur, edhe pse ai i tërhiqte. Aty edhe më kërcënoi, më tha se edhe mund t’i vriste ata, t’u merrte jetën, vetëm e vetëm që unë të mos i merrja kurrë. Debatova gjatë rrugës me të, ndërsa të nesërmen marr vesh gjatë asaj nate njëri prej djemve kishte qenë pa ndienja në spital.

TCH: Në këtë kohë ti iu drejtove gjykatës?

Gruaja e divorcuar: Po, në fakt mora një avokate vetëm për marrjen e fëmijëve, nuk më interesonte fare divorci. Përpara se të nisja procesin takohem me ish-bashkëshortin, u takuam tek ambulanca e lagjes së tyre, sepse ajo zonë më prek për kujdes shëndetësor, dhe aty mori vesh që do të nisja ankimimin. Më kërcënoi sërish duke më thënë që unë nuk do t’i kem më fëmijët. Më tha që nuk do t’i shihja më me sy, edhe pse më dukej absurde. Nuk e di pse e ka këtë urrejtje të tillë, nuk arrij ta kuptoj. Por mora guximin dhe hodha hapat e parë duke shkuar në gjykatë, duke bërë kërkesën për fillimin e divorcit dhe marrjen e kujdestarisë së fëmijëve.

TCH: Gjykata të dha të drejtë…?

Gruaja e divorcuar: Po, gjykata më ka dhënë të drejtë që unë t’i mbaj fëmijët.

TCH: Por ti aktualisht nuk po i mban fëmijët, apo jo?

Gruaja e divorcuar: Po, nuk i kam marrë ende, sepse ai e ka dërguar çështjen në Apel.

TCH: Pse ti je kaq kundër faktit që ai të ketë kujdestarinë e dy djemve? Çfarë të shqetëson më tepër? Nuk është ai një baba i denjë për t’i rritur ata?

Gruaja e divorcuar: Ai nuk është i denjë as për t’i rritur dhe as për t’i edukuar ata, sepse ka një sëmundje të pashërueshme.

TCH: Bëhet fjalë për ndonjë sëmundje infektive të pashërueshme?

Gruaja e divorcuar: Po, për HIV-AIDS.

TCH: Gjatë kësaj kohe që ti je ritakuar me fëmijët, mendon se ata kanë ndryshuar qëndrimin ndaj teje, janë më të ftohtë, po e kalojnë në mënyrë shumë të vështirë këtë situatë?

Gruaja e divorcuar: Ata në fakt janë duke kaluar një moment shumë të vështirë, sepse kur kemi pasur seanca me psikologen ata janë shfaqur të mësuar, janë tmerruar nga fjalët e tyre dhe kanë frikë, as nuk shprehen dot, janë si të imponuar. Thjesht çfarë u thotë ai, bëjnë këta, sepse janë të vegjël dhe normal po të rritesh me fjalë të këtilla do të kenë frikë të flasin. Nuk thonë as që nuk më duan, as që më duan, thjesht nuk flasin fare.

TCH: A ke frikë ti për shëndetin e tyre? A mund të jenë edhe ata të infektuar?

Gruaja e divorcuar: Kam frikë, madje kam bërë një kërkesë në gjykatë që kjo çështje të shqyrtohet, t’u bëhet ndonjë analizë apo diçka për verifikim, por ende nuk kanë sjellë ndonjë fakt apo analizë që unë të besoj se fëmijët s’kanë gjë. Thjesht ai më ka thënë fjalë, të cilat unë s’mund t’i zë besë, sepse e di mirë që ai mund të gënjejë shumë. Fakti është që unë po pres tashmë Apelin, që shpresoj të japë vendimin sa më shpejt, që më pas t’u bëj vet një kontroll fëmijëve.

TCH: Do të bësh ndonjë apel për të gjithë ato nëna, që kanë probleme si ti për të marrë kujdestarinë e fëmijëve?

Gruaja e divorcuar: Asnjë nënë nuk heq dorë nga fëmija e saj, çfarëdo situate që të sjellë jeta apo personi në krah. Varet si janë gjërat, por asnjë nënë nuk e do këtë gjë. Sado larg të jetë, asnjëherë nuk mund ta braktisë një fëmijë, pavarësisht se rrethanat nuk mund ta lejojnë të qëndrojë pranë tij. Është thjesht çështje kohe, ndoshta edhe e zgjatur apo stërzgjatur, që mund t’i mbajë larg nënën dhe fëmijën, por kjo gjë nuk bëhet me dëshirë.

TCH: A je ti e gatshme t’i rrisësh vet të dy djemtë e tu?

Gruaja e divorcuar: Jam plotësisht e gatshme.

TCH: Ke ti kushte ekonomike?

Gruaja e divorcuar: Kushtet ekonomike… Një jetë të pasur nuk mund t’u garantoj, sepse nuk vij nga një familje e pasur, por një jetë normale, të qetë, dhe një edukatë më të mirë se sa atje ku janë, jam e gatshme t’ua ofroj.

Top Channel