Thaçi e Mustafa në Bruksel

12/11/2014 00:00

Liderët e dy partive më të mëdha në Kosovë, Hashim Thaçi nga PDK dhe Isa Mustafa nga LDK vizitojnë Brukselin, ku të dy do të takojnë presidentin e Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul.

Ndër të tjera, liderët e dy partive të deklaruara të djathta do të flasin me zotin Daul për krizën politike në Kosovë, ndërsa pritet të marrin edhe inkurajime për bashkëpunim.

Burime të Top Channel nga dy blloqet politike bëjnë të ditur se ekzistojnë gjasa që Thaçi dhe Mustafa të kenë një takim kokë më kokë në Bruksel të enjten para se të kthehen në Kosovë.

Top Channel ka mësuar se kryetari i PDK-së është i shoqëruar në këtë vizitë nga zëvendësi i tij Kadri Veseli dhe nënkryetari Memli Krasniqi. Arsyeja e vizitës së tyre në Bruksel lidhet me procesin e anëtarësimit të PDK-së në familjen evropiane të partive të djathta.

Për të njëjtin qëllim në Bruksel ndodhet edhe lideri i LDK-së, i cili shoqërohet nga dy bashkëpunëtorët Lutfi Haziri dhe Agim Veliu. Delegacioni i LDK-së ka udhëtuar në Bruksel pas përfundimit të vizitës në Gjermani.

Këtë e ka konfirmuar përmes një përgjigjeje elektronike nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatçija, e cila ishte pjesë e delegacionit. Sahatçija ka thënë se pasditen e së mërkurës ajo është kthyer nga Mynihu në Prishtinë, ndërsa ka konfirmuar se kryetari Mustafa ka udhëtuar drejt Belgjikës.

Në Gjermani që nga e shtuna ka qenë edhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, por ai është kthyer të martën në mbrëmje në Prishtinë. Partia e tij nuk ka dhënë asnjë detaj mbi axhendën e tij disaditore.

E ndërsa liderët partiakë ndodhen jashtë Kosovës, shteti vazhdon të jetë pa institucione që prej pesë muajsh dhe kjo po e shqetëson presidenten Atifete Jahjaga, e cila po ndërmjetëson bisedimet për të gjetur një zgjidhje të krizës politike.

Arbër Vllahiu, zëdhënës i Jahjagës, ka thënë përmes një përgjigjeje elektronike për Top Channel, se tani është mundësia e fundit që liderët politikë të shohin përtej interesave të tyre dhe të tejkalojnë çdo pengesë për të ndërtuar institucione të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Vllahiu ka thënë se presidentja vazhdon të kërkojë nga liderët politikë që ta kuptojnë seriozitetin e situatës dhe të reflektojnë, duke i ofruar njëri-tjetrit mundësinë e dialogut dhe që përmes kompromisit ta nxjerrin vendin nga kjo gjendje amullie.

Top Channel