Bushati: Të përgatisim vizitën e Vuçiç

12/11/2014 00:00

Në bindjen e shefit të diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, pritshmëria nga vizita e kryeministrit në Beograd, u përmbush plotësisht.

“Natyrisht që është një kapitull i ri për faktin që konkluduam marrëveshje të rëndësishme, disa prej të cilave ishin të inspiruara nga procesi i Berlinit”, ka deklaruar Bushati.

Përkundër qëndrimit të palës serbe për incident të shkaktuar nga kryministri shqiptar për shkak të deklaratës për Kosovën, ministri ynë i Jashtëm e mbrojti këtë deklaratë kur përsëriti se Kosova është tashmë realitet dhe me palën serbe duhet të punohet për ngushtimin e diferencave.

“Do të ishte një sinjal i mirë të punonim për vizitën e kryeministrit Vuçiç në Tiranë dhe po ashtu që krahas marrëveshjeve që konkluduam me palën serbe të punohet për zvogëlimin e diferencave. Kjo bëhet përmes projekteve të përbashkëta në infrastrukturë dhe ekonomi, ku në kuptimin politik, gjeo-politik dhe gjeo-ekonomik Tirana dhe Beogradi kanë më shumë influencë në rajon. Sidomos Tirana, si kryeqyteti i një vendi anëtar i NATO-s”, theksoi Bushati.

Ministri Bushati ishte në komisionin e jashtem, ku u pyet për problematikën e shfaqur mes dy shteteve pas ndeshjes Serbi-Shqipëri. Interesi i deputetëve ishte tek nevoja për shpenzimin e më shumë fondeve në përballimin e krizave të tilla diplomatike.

Më shumë sesa para të shpenzuara, më i dobishëm është vizioni tha Bushati, i cili pohoi se nuk u pagua asnjë media e rëndësishme ndërkombëtare për prononcimet në to të qeverisë.

Top Channel