Rusia, patrullime me bombardues në Amerikën Veriore

12/11/2014 00:00

Rusia bëri të ditur mbrëmjen e së mërkurës se ka planifikuar të dërgojë bombardues me rreze të gjatë në fluturime patrullimi mbi ujërat e Amerikës Veriore, përfshi këtu edhe Gjirin e Meksikës, por Pentagoni i ka hedhur poshtë këto zëra, duke e konsideruar misionin e Moskës si një stërvitje rutinë në hapësirën ajrore ndërkombëtare.

Njoftimi i bërë nga ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, erdhi vetëm pak ditë pasi NATO ngriti zërin për disa inkursione ruse në hapësirën ajrore europiane, përfshi edhe formacionet më komplekse të avionëve, që fluturojnë nëpër kurse “provokative”.

Shoigu tha se fluturimet përgjatë kufijve të Federatës Ruse dhe mbi oqeanin Arktik shihen si pjesë e stërvitjeve për operacioni me rreze të gjatë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Itar Tass”.

“Në situatën aktuale, ne duhet të sigurojmë prezencën tonë ushtarake në pjesën perëndimore të Atlantikut, në pjesën lindore të Paqësorit, si dhe në ujërat e Karaibeve apo në gjirin e Meksikës”, shtoi ai.

Ndërsa zëdhënësi i Pentagonit, Kolonel Steve Warren, tha se çdo komb ka të drejtë të operojë në ujërat ndërkombëtare apo hapësirën ajrore ndërkombëtare.

“Rusët kanë patrulluar edhe në të kaluarën në gjirin e Meksikës, madje kemi parë edhe operacione të marinës ruse në këto ujëra. Këto janë ujëra ndërkombëtare”, tha Warren. “Është e rëndësishme që rusët të zhvillojnë operacionet e tyre në mënyrë të sigurt dhe në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare”.

Marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit janë përkeqësuar për shkak të krizës në Ukrainë, ku Kievi përballet me rebelimin e separatistëve prorusë në lindje të vendit. Fluturimet me mision patrullimi të bombarduesve, një paktikë e epokës së Luftës së Ftohtë, janë ndalur pas rënies së Bashkimit Sovjetik, por Presidenti Vladimir Putin i “rigjallëroi” ato në vitin 2007.

Top Channel