Buxheti, a ndihmon rritjen ekonomike?

13/11/2014 00:00

Buxheti i qeverisë është kryefjalë e diskutimeve jo vetëm të politikës, por edhe të biznesit. Anastas Angjeli, deputeti i Partisë Socialiste dhe ish ministër i Financave ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ku foli në lidhje me buxhetin e ri për vitin 2015-të.

Angjeli tha se me buxhetin e ri garantohet një rritje e mëtejshme ekonomike, e cila përbën edhe karakteristikën kryesore të tij.

Pandi Gjata: A garanton rritje ekonomike buxheti i ri për vitin 2015?

Anastas Angjeli: Kur diskutuam për buxhetin vitin e kaluar e përkufizuam atë si buxheti i kthesës dhe tashmë që viti po mbaron, këtë cilësim e pranuam dhe e faktuam. Me të vërtetë kthesa u shënua, kjo duket në 3 drejtime kryesore. Së pari, u frenua rënia e rritjes ekonomike. Për këtë viti parashikohet që rritja ekonomike të paktën të kapi shifrën 2%. Së dyti, u stopua ajo që na kishte tronditur krejtësisht. Kishim financa të tronditura, me një borxh dhe me një deficit shumë të madh dhe kërcënohej kuota financiare. Me buxhetin e ri garantohet një rritje e mëtejshme ekonomike, e cila përbën edhe karakteristikën kryesore të buxhetit. Pa frikë, ky buxhet mund të konsiderohet si buxheti i vazhdimit të rritjes ekonomike dhe i konsolidimit fiskal. Rritja ekonomike është e garantuar, së pari nga politikat që do të ndiqen në një sërë sektorësh, ku disa reforma ekonomike janë të domosdoshme. Ato janë të lidhura drejtpërsëdrejti me prodhimin, zhvillimin dhe me punësimin. Kush janë këto? Së pari është reforma në sektorin e bujqësisë ose mbështetja që ky buxhet i jep këtij sektori. Janë rreth 26 masa fiskale dhe buxhetore që përfshihen me efektet e tyre në mbështetje të sektorit të bujqësisë dhe të peshkimit, dhe të sektorit, brenda bujqësisë, të agro-industrisë. Këto masa, të cilat reflektohen në buxhetin e shtetit janë drejtpërsëdrejti me ndikim pozitiv në rritjen ekonomike, në lehtësim, në subvencionim dhe në mbështetje të produktit bujqësor. Një nga problemet më shqetësuese që ka ndikuar në krizën ekonomike dhe në rënien ekonomike është sektori i energjisë. Ky sektor është jetik për të gjithë ekonominë dhe mbështetja që i japim është një ndihmesë e madhe për zhvillimin e ekonomisë. Gjithashtu për të zgjidhur problemin e punësimit dhe për të rritur eksportet, në bujqësia apo edhe sektori fasonëve, i cili po mbështetet fuqimisht në ekonomi. Sektorë të tjerë të rëndësishëm janë ato të naftës dhe të minierave, të cilat gëzojnë një mbështetje tjetër të re në ekonomi dhe në buxhetin e këtij viti.

Pandi Gjata: A është i orientuar drejt buxheti ndaj investimeve publike?

Anastas Angjeli: Pa dyshim që një faktor themelor në rritjen ekonomike të garantuar ose ajo që argumenton rritjen ekonomike është politika e investimeve. Për vitin 2015 politika e investimeve do të vazhdojë, sipas qeverisë, e orientuar drejt dhe me të drejtë në investimet e papërfunduara në akset kryesore të infrastrukturës. Këto investime kapin një shumë të përgjithshme 80 miliardë lekë. Këtu përfshihen rreth 67 miliardë investime, të cilat do të bëhen sipas politikave sektoriale, ndërsa rreth 13 miliardë do të jenë për fondin e zhvillimit rajonal. Këto mund të konsiderohen si një garanci për zhvillimin ekonomik të vendit.

Pandi Gjata: Për shkak të paktës së re fiskale, a ka zhvendosje të barrës te shtresat më të varfra?

Anastas Angjeli: Ka diskutimi dhe opinione të ndryshme të paketës fiskale, ka edhe hiperbolizim të saj. Kjo pjesë e paketës fiskale që vjen në fund të vitit ka vetëm 4 ligje. Më vjen shumë keq që ka interpretime sikur kjo paketë e re fiskale godet shtresat e popullsisë, rrit varfërinë, godet konsumin. Këto argumente nuk qëndrojnë. Pse nuk qëndrojnë? Çfarë përmban paketa fiskale e tanishme? Në se do ta lidhnim me pjesën që ka kaluar para disa muajsh, ajo është e gjitha në favor të sektorëve ekonomikë të bujqësisë dhe në favor të biznesit, sepse kjo u vërtetua që Shqipëria po bën hapa përpara në zgjerimin e lirive ekonomike. Paketa aktuale fiskale përmban vetëm 3 taksa, 10% taksa e qarkullimit. Taksa tjetër, ku po zhvillohet edhe debati për heqjen e akcizës për pijet energjike, nuk ka lidhje me efekt negativ te konsumatori, por ka lidhje me efekte shteti. Taksa e tretë është vendosja e një balance midis taksave parësore dhe dytësore, e cila lidhet me interesat e depozitave në bankë. Këto dy taksa mund të kenë nja farë ndikimi. Ndërsa, sa i përket interesave në bankë, ka një raport të caktuar midis sasisë së depozituesve që kanë shuma të vogla parash dhe sasisë së depozituesve që kanë shuma të mëdha. Ne jemi duke e diskutuar këtë paketë. Interpretimi që bëhet është keqdashës sepse nuk është kjo pjesë e paketës që duhet goditur dhe që ka efekt negativ. Biznesi ka shprehur disa shqetësime te vetat, disa kërkesa.

Pandi Gjata: Do t’i merrni parasysh kërkesat e tyre?

Anastas Angjeli: Një pjesë e tyre janë diskutuar gjatë kohës, një pjesë tjetër është duke u diskutuar. Ndërkohë, kjo është duke u plotësuar edhe me një ligj të ri. Edhe mbi këto çështje që biznesi ka ngritur, jo vetëm mbi këto çështje që biznesi ka ngritur, deputetët dhe Komisioni i Ekonomisë ishte tërësisht i hapur për të dëgjuar dhe diskutuar.

Pandi Gjata: Lufta ndaj evazionit fiskal, sipas qeverisë, do të jetë ajo që do të rrisë të ardhurat e buxhetit. Duket një deklaratë shumë optimiste, kur bëhet tani që ne nuk kemi një reformë të plotë për miradministrimin fiskal.

Anastas Angjeli: Kur erdhëm në pushtet si mazhorancë, një vit më parë, e deklaruam se kemi një katruar financiare dhe u morën një sërë masash. Sot në vitin 2014, rreth 8.7% e rritjes së të ardhurave ka ardhur nga miradministrimi, e cila do të thotë që është luftuar evazioni fiskal. Kjo nuk mund të bëhet si me ‘shkop magjik’, ka një sërë masash. Po të bësh një analizë të të ardhurave të buxhetit të shtetit, konstatohet se rritja e të ardhurave vjen nga përmirësimi i administrimit fiskal, vjen nga rritja ekonomike. Ndërsa politikat fiskale janë rreth 16 miliardë lekë në të gjithë rritjen që bëhet.

Pandi Gjata: A është ky një buxhet i majtë? Apo është i diktuar nga rrethanat makroekonomike të trashëguara, që sipas jush ishin në gjendje tepër të rëndë?

Anastas Angjeli: Vështirë që të gjesh sot në terminologjinë e përdorur, buxhet të majtë apo buxhet të djathtë. Ajo që duhet të theksonim ne tani është që ky është një buxhet që i përputhet programit të qeverisë së majtë dhe argumentohet. Dy element thelbësorë tregojnë që ky buxhet përputhet me programin e qeverisë. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Deri tani është vërtetuar që vendosja e një takse progresive, sidomos mbi të ardhurat është një taks që sipas përfitimit jep edhe kontributin. Ky buxhet i ka kushtuar shumë vëmendje reformës sociale në vendin tonë, në thelb të saj qëndron reforma e pensioneve, si dhe shpenzimet e buxhetit të shtetit për paketën sociale. Buxheti, po ashtu si edhe vitin e kaluar, me një rritje të konsiderueshme do t’i përballojë të gjitha nevojat. Dy elementë thelbësorë, ai i taksimit dhe buxheti social, dëshmojnë më së miri për karakterin social të një qeverie të majtë në buxhetin e saj. Por gjithnjë pa hequr dorë nga politikat e zhvillimit dhe nga ajo e biznesit. Buxheti përballon deri në 25% të rritjes ekonomike, ndërsa pjesën tjetër e ka sektori privat. Prandaj, kur flasim për reforma rregullatore dhe mbështetje, duhet të kemi parasysh që kjo duhet të jetë një faktor themelor për gjallërimin ekonomik dhe garanci për rritjen ekonomike.

Pandi Gjata: A është tashmë e ekzagjeruar dhe a pajustifikueshme fakti që për taksat apo modele fiskale të vendos FMN, ashtu edhe sikundër deklaroi dje ministri i Financave, Shkëlqim Cani?

Anastas Angjeli:
Nuk besoj që ka qenë një deklarim i tillë. Për arsye se marrëveshja me FMN është shumë e qartë, e cila duke dashur të ruajë objektivin kryesor të këtij buxheti që është ‘rimëkëmbja ekonomike dhe konsolidimi fiskal’, padyshim që bie dakord për të arritur treguesit kryesorë. Instrumentat që përdoren për të arritur këto tregues janë nga më të ndryshimit. Nëse ata janë brenda objektivit kryesor bashkëpunimi është shumë i qartë midis FMN-së dhe qeverisë. Nuk ka politika imponuese nga FMN-ja. Por për të realizuar një objektiv kryesor duhen disa instrumenta dhe një instrumentat janë edhe taksat.
 

Top Channel