DASH përshëndet takimin Rama-Vuçiç: Kapitull i ri në rajon

13/11/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara, me anë të një deklarate e kanë përshëndetur takimin mes kryeministrave të Shqipërisë dhe të Serbisë.

“Përgëzime qeverisë shqiptare dhe asaj serbe për këtë vizitë historike. Shtetet e Bashkuara lëvdojnë kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç, për të parën vizitë zyrtare të një kryeministri shqiptar në Beograd, në gati 70 vjet. E mirëpresim angazhimin reciprok, që këta liderë treguan me hapjen e një kapitulli të ri miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve të tyre”, tha zedhenesja e Shtepise se Bardhe, Jen Psaki.

Jehona e vizitës së shumëdiskutuar vazhdoi për disa ditë rresht në media. Ndjesia e përgjithshme e përcjellë mes rreshtave ishte ajo se, pavarësisht zotimit të të dy shefave të qeverive për të lënë mënjanë dallimet mes tyre e për t’u përqendruar te dëshira e përbashkët e afrimit me bllokun europian, shkrirja e akujve mes vendeve në një rivalitet të heshtur nuk zgjati as deri në fund të konferencës për shtyp.

Shkëndija e acarimit u bë edhe një herë Kosova, arsyeja e tensioneve dhjetravjeçare. Vizita e Edi Ramës u pa gjerësisht si ngjarje e një rëndësie të veçantë, për faktin e thjeshtë se pa normalizimin e plotë të raporteve shqiptaro-serbe në Ballkan nuk do të ketë paqe të qëndrueshme.

Edhe pse ndalesa, në vetvete, reflektoi progresin e bërë gjatë dy dekadave të fundit, mosmarrëveshja publike nxori në pah edhe një herë thellësinë e hendekut, që ndan dy vendet.

Por ashpërsia e reagimeve në Serbi nuk gjeti të njëjtin pasqyrim edhe në radhët e zyrtarëve ndërkombëtarë, apo njohësve të mirë të problematikave rajonale.

Top Channel