Kushtetuesja refuzon pezullimin e “KLD-së”

13/11/2014 00:00

Ashtu sikurse ishte shprehur edhe ndaj kërkesës së presidentit, Gjykata Kushtetuese mbajti një qëndrim refuzues edhe ndaj pretendimeve të deputetëve demokratë, të cilët kishin kërkuar pezullimin e ligjit të KLD-së derisa kjo gjykatë të jepte një vendim për pretendimet se ndyrshimet në ligj ishin anti-kueshtetuese.

Që në çelje të shqyrtimit gjyqësor Gjykata Kushtetuese deklaroi se kërkesa për pezullimin e zbatimit të ligjit rrëzohet, ndërkohë që pas një kërkese të Këshillit të Ministrave për t’u bërë palë në proces u pranua një qëndrim i tillë, çka u bë shkak për shtyrjen e seancës deri në njoftimin e palës së interesuar. Por kërkesa e Këshillit të Ministrave u pa si një mekanizëm i qëllimshëm nga deputeti demokrat Eduart Halimi.

“Kryeministri kërkon të fusë në krizë institucionet e drejtësisë me qëllimin që ato të mos funksionojnë dhe të mos japin drejtësi për qytetarët. Me qëllimin që gjykatat të ecin sipas rrugës që do kryeministri, që të futen në burg edhe ata që s’kanë kryer krime”, deklaroi Halimi.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka zhvilluar mbledhjen e fundit më datë 17 tetor dhe për pak ditë mbushet muaji që anëtarët e KLD nuk janë mbledhur, ndërkohë që mes të tjerash janë në pritje për t’u diskutuar edhe emërimet e inspektorëve të KLD-së që kanë dy mandate si inspektorë.

Top Channel