Stabilizohet sonda e ulur mbi kometë

13/11/2014 00:00

Sonda robotike “Philae” është stabilizuar në kometën “67P Churyumov/Gerasimenko” pas dështimit fillestar për të qëndruar në sipërfaqen e trupit qiellor në lëvizje.

Episodi në vetvete u cilësua një arritje historike në vazhdën e përpjekjeve për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi origjinën e universit.

Roboti u ul në kometë të mërkurën, shtatë orë pas shkëputjes nga anija e hapësirës “Rosetta”, që e transportoi deri në skajet më të largëta të sistemit diellor.

Qëllimi i shkencëtarëve është që sonda e Agjencisë europiane të Hapësirës të kryejë një seri eksperimentesh shkencore të lidhura me eksplorimin e përbërjes së kometës.

Pasi preku sipërfaqen, “Philae” kërceu mbrapsht disa qindra metra. Por, tani, roboti me përmasat e një lavatriçeje duket të jetë stabilizuar.

Duke qenë se “Gerasimenko” udhëton më shumë se 400 milionë kilometra larg Tokës, u deshën disa orë para se kontrollorët të merrnin konfirmimin se sonda u ul. Takimin e parë me kometën, anija transportuese 1,7 miliardë dollarëshe “Rosetta” e pati në muajin gusht.

Ajo do të vazhdojë ta shoqërojë kometën deri vitin e ardhshëm dhe do ta vëzhgojë ndërsa i drejtohet diellit. Shkencëtarët shpresojnë se “Rosetta”, – e emërtuar pas gurit që ndihmoi në kuptimin e gjuhës hieroglife të egjiptianëve të lashtë, – do të ofrojë më shumë të dhëna për mbetjet shkëmbore dhe ato të ngrira nga krijimi i sistemit diellor.

Top Channel