SHBA, Kongresi nis punën pas zgjedhjeve

13/11/2014 00:00

Kongresi amerikan nisi punën pas zgjedhjeve të javës së kaluar, ku republikanët morën kontrollin e Senatit dhe zgjeruan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Shumë nga kundërshtarët më të ashpër të presidentit Barack Obama po përgatiten të marrin pozicione të fuqishme ne Senatin që ka qenë nën kontrollin e demokratëve që nga viti 2007.

Republikani më i lartë atje, Mitch McConnell do të bëhet udhëheqës i shumicës dhe do të vendosë se cilat projektligje mund të hidhen për shqyrtim.

Shumë prej tyre duhet të miratohen paraprakisht nga komisionet e Senatit, të cilat do të kenë kryetarë republikanë.

Komisioni i Politikës së Jashtme do të drejtohet nga senatori Bob Corker, një kritik i hapur i planit të administratës Obama për të luftuar ekstremistët e grupit Shteti Islamik në Irak dhe Siri.

Të premten e kaluar, presidenti Obama priti në Shtëpinë e Bardhë krerët e republikanëve dhe ata të demokratëve, për të eksploruar rrugët e kompromisit pas 5 vjet mëri politike.

Në takimin me presidentin u bashkuan 16 ligjvënës, përfshirë atë që tashmë është lideri i mazhorancës në Senat, Mitch McConnell dhe kreu i grupit të republikanëve, John Boehner.

“Populli amerikan dëshiron të shohë punën e bërë këtu në Uashington”, tha Obama gjatë komunikimit me mysafirët e tij.

“Ata janë të frustruar nga ngërçi, duan të shohin bashkëpunim dhe unë mendoj se të gjithë ne, sidomos unë, kemi përgjegjësinë që të përpiqemi dhe të realizojmë kërkesat e tyre”, vijoi presidenti.

Top Channel