Paris, “gjueti” ndaj tigrit të arratisur

13/11/2014 00:00

Policia dhe zjarrfikësit janë vënë në kërkim të një tigri “endacak”, i cili është parë rrugëve të një zone në periferi të Parisit, siç bëjnë të ditur autoritetet lokale.

Një grua ishte ajo që dha alarmin për zyrtarët, pasi pikasi kafshën gjigante në një parkim të një supermarketi në Montevrain, në lindje të kryeqytetit francez, raporton media lokale.

Këshilli i Montevrainit bëri të ditur përmes rrjetit social Facebook se një zonë pyjore është rrethuar dhe kanë nisur kërkimet. Rezidentët janë këshilluar të qëndrojnë brenda shtëpive, ndërsa fëmijët të mos dalin nga shkollat.

Ende është e paqartë se nga vjen kafsha në fjalë dhe si përfundoi në parkimin e supermarketit në Montevrain. Pronari i supermarketit “Intermarche” tha se gruaja e tij e kishte pikasur atë rreth orës 8 e 30 të mëngjesit.

“Ajo kishte frikë të dilte jashtë nga makina, ndaj dhe më telefonoi për të më thënë se kishte parë një tigër”, citohet të ketë thënë pronari nga mediat lokale. Gruaja e tij i ka bërë edhe një foto, e cila ka përfunduar online.

Gazeta “Le Parisien” tha se disa banorë vendas e kishin parë gjithashtu kafshën. Specialistët thonë se gjurmët e tij janë të një tigri të vogël në moshë, me ndjekjen e të cilave është bërë e mundur gjurmimi drejt zonës pyjore, ndërsa një helikopter po ndihmon forcat policore dhe zjarrfikëse në kërkime.

Zyra e kryebashkiakut të Montevrainit hodhi poshtë zërat se tigri mund të jetë arratisur nga një cirk, i cili dha shfaqje në periferi të Parisit deri të shtunën. “EuroDisney”, që operon shumë pranë “Disneyland” në Paris, bëri të ditur se nuk mban tigra.

Top Channel