Turqi, turma sulmon 3 marinarë amerikanë

13/11/2014 00:00

Grupe protestuesish në Turqi kanë sulmuar tre marinarë amerikanë në Stamboll, të cilëve kanë tentuar t’u vënë kapuç në kokë ndërsa u bërtisnin: “jenki, shkoni në shtëpi!”.

Demonstruesit, që kanë postuar një video të sulmit në një faqe interneti ultranacionaliste, i kanë hedhur gjithashtu marinarëve bojë të kuqe dhe i kanë ndjekur duke vrapuar nëpër rrugë.

Zyrtarët amerikanë e dënuan ashpër episodin, por megjithatë këmbëngulën të tregojnë se bëhet fjalë për një incident të izoluar.

Policia turke ndaloi 12 persona në lidhje me ngjarjen, por më vonë i la të gjithë të lirë, raporton agjencia lokale e lajmeve “Dogan”.

Agresorët, anëtarë të grupit nacionalist Unioni Rinor Turk, u paralajmëruan megjithatë se mund të përballen me akuza për fyerje, lëndim dhe shkelje të ligjit për protestat publike.

Pak përpara sulmit, një nga protestuesit u bërtiti amerikanëve në anglisht duke u thënë: “Për arsyen e vetme se ju konsiderojmë juve vrasës, ne duam që ju të largoheni nga toka jonë”.

Protestuesit filluan më pas të hidhnin gurë dhe objekte të tjera ndaj marinarëve dhe kapën njërin prej tyre, duke i vendosur për pak momente një thes të bardhë në kokë.

Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Steve Warren e cilësoi sulmin si “të shëmtuar dhe shqetësues”, ndërsa agresorët si “rrugeçër vendas”.

“Ata i bënë një dëm të madh reputacionit të Turqisë dhe turqve për mikpritjen. Ne po punojmë ngushtë me zyrtarët turq për ta hetuar këtë ngjarje dhe për ta zbardhur atë deri në fund”, deklaroi zyrtari amerikan.

Top Channel