Ebola, muajin e ardhshëm testimi i vaksinës

13/11/2014 00:00

Muajin e ardhshëm në Afrikën Perëndimore nis testimi i vaksinës kundër sëmundjes vdekjeprurëse të Ebolës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte identifikuar dy vaksina si “premtuese” dhe shpresonte që rezultatet e para të testimit për to do të ishin në dispozicion në nëntor apo dhjetor.

Organizata Mjeket Pa Kufij, e cila është kthyer në lidere të luftës ndaj epidemisë, njoftoi se tre nga qendrat e saj do të zhvillojnë tre projekte të veçanta hulumtimi.

Një prej tyre i referohet përdorimit të gjakut të marrë nga persona të shëruar nga Ebola për trajtimin e të sëmurëve në kryeqytetin e Guinesë, Konakri.

Dy medikamente të tjera anti-virale do të testohen njëri po në këtë shtet, ndërsa tjetri në një zonë të pakonfirmuar.

“Ky është një partneritet ndërkombëtar i papreçedent, që u jep shpresë pacientëve që më në fund të shërohen”, deklaroi zëdhënësja e Mjekëve Pa Kufij, Annick Antierens.

Epidemia e virusit të Ebolës mendohet të ketë prekur mbi 14 mijë persona, thuajse të gjithë nga vendet e Afrikës Perëndimore. Bilanci i viktimave të virusit vdekjeprurës është ngjitur në 5.160.

E ndërsa testet e para të anti-virusit do të nisin muajin e ardhshëm, rezultatet fillestare pritet të jenë gati në shkurt të vitit të ardhshëm.

Rreth 400 persona do të marrin pjesë në testet e para, të cilat do të përhapen më pas në qendra të tjera trajtimi nëse rezultatet paraprake do të jenë premtuese.

Top Channel