FIFA, në vorbullën e një “lufte civile” për Botërorët

13/11/2014 00:00

FIFA, organi më i lartë drejtues i futbollit në botë, duket se është përfshirë në një “luftë civile”.

Ditën që vet organizata publikoi një raport, i cili “pastron” Katarin dhe Rusinë nga akuzat për korrupsion gjatë kandidimit të tyre për të organizuar Botërorët respektivë të 2022-shit dhe 2018-s, njeriu që udhëhoqi hetimet ka bërë një deklaratë “bombë”.

Michael Garcia, personi që shpenzoi 18 muaj duke shqyrtuar kandidaturat për organizimin e turneve të ardhshëm të kampionateve botërorë të futbollit, i ka etiketuar gjetjet e FIFA-s në raporton e tij si “jo të plota dhe të gabuara”.

Gjykatësi gjerman, Hans-Joachim Eckert, kreu i dhomës së vendimmarrjes në Komitetin e pavarur Etik të FIFA-s, publikoi një përmbledhje prej 42 faqesh të gjetjeve të Garcias, i cili në total kishte nxjerrë një konkluzion prej 350 faqesh në raportin e tij.

Përmbledhja e Eckert, e publikuar të enjten, bënte të ditur se, si Katari edhe Rusia nuk mund të konsideroheshin fajtore për akuzat e ngritura ndaj tyre për korrupsion. Por, gjykatësi amerikan lëshoi më pas një deklaratë, duke pretenduar se do të apelojë në Komitetin e Apelit të FIFA-s.

“Vendimi i sotëm nga Kryesia e Dhomës së Vendimmarrjes përmban përfaqësime materialisht të paplota dhe të gabuara të fakteve dhe konkluzioneve të detajuara në raportin e Dhomës së Investigimeve”, tha ai përmes deklaratës. “Kam ndërmend ta apeloj këtë vendim në Komitetin e Apelit të FIFA-s”.

Raporti i publikuar liron Katarin dhe Rusinë nga akuzat për shkelje apo korrupsion. “Incidentet që mund të kenë ndodhur nuk mund të konsiderohen si kompromentuese të integritetit të FIFA-s gjatë proceseve të dhënies së të drejtave të organizimit të Botërorëve 2018-2022 në tërësi”, thuhej në raport, ku gjithashtu konfirmohej se nuk ka asnjë plan për të rihapur procesin e kandidimit për këto turne nga e para.

“Në veçanti, efektet e këtyre ngjarjeve në procesin e kandidimit kanë qenë shumë larg të konsideruarit të atij ndikimi, sa do të kërkohej rikthimi i procesit të kandidimit e jo më të rihapej ky proces”, citon Eckert.

Ndërkaq, përgjigja e FIFA-s ndaj raportit ka qenë “arritja e shkallës së mbylljes së këtij diskutimi”. “FIFA do të shohë tashmë përpara drejt vazhdimit të përgatitjeve për eventet Rusi 2018 dhe Katar 2022, të cilat kanë filluar prej kohësh”, lexohej në deklaratën e organizatës.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel