Investimet për 2015, Ahmetaj: Shifra më e lartë e 5 viteve të fundit. Deputetët kanë vërejtje

13/11/2014 00:00

Qeveria ka parashikuar të investojë 80 miliardë lekë ose 5.4 për qind të Prodhimit Kombëtar për vitin e ardhshëm. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj tha se kjo është shifra më e lartë e 5 viteve të fundit.

“Kjo është një shifër rekord, duke futur në paketë uljen e deficitit, uljen e borxhit publik, ruajtjen e nivelit madje në shumë aspekte, rritjen e buxhetit social, mosprekjen në asnjë mënyrë të të drejtës sociale, rritjes e subvencionit për energjinë”, tha Ahmetaj.

Fondi total i investimeve është i ndarë në dy pjesë. 67.5 miliardë lekë janë investime në projekte kombëtare, ndërsa 12.5 miliardë lekë të tjera kalojnë përmes Fondit Rajonal të Zhvillimit që administron pushteti vendor.

Por, ndarja sipas zonave e këtij fondi, ka shkaktuar debate të forta mes deputetëve të maxhorancës.

“Investimet në qarqet veriore, në krahasim me qarqet jugore, janë dy herë më pak, në vitin 2014. Parashikimi i vitit 2015, referuar shpërndarjes së fondeve të një viti më parë, duhet të jetë më korrekt”, tha deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli.

“Për ta ndarë Shqipërinë është shumë më kollaj. Zoti Kadeli, mos i fryni kësaj historie”, tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe.

Top Channel