Vijon debati për rritjen e taksave

13/11/2014 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj tha se rritja e tatimit mbi
të ardhurat është një politikë, që nuk synon rritjen e barrës, por
vendosjen e drejtësisë fiskale.

“Si është e mundur, që një i punësuar të paguajë 15 për qind edhe një sipërmarrës që merr divident të paguajë 10 për qind? Nuk ka arsye, duhet të balancohen. Pra, politika fiskale që kemi ndjekur, ajo paketë modeste në ekuilibrim dhe shumë pozitive në lehtësim  procedurash, është vazhdimësi e drejtësisë fiskale. Kush fiton më pak, patjetër do të paguajë më pak”, tha Ahmetaj.

Zoti Ahmetaj akuzoi opozitën se përmes deklaratave të rreme, si ajo e taksimit të depozitave po përpiqet qëllimisht të përhapë panik në ekonomi. Sipas tij, edhe rritja e taksës së naftës do të ketë ndikim të papërfillshëm në kostot e biznesit, ndërsa kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe iu kujtoi sipërmarrësve një tjetër llogari.

“Kush pyet për barrën fiskale dhe kush vjen para këtij Komisioni të flasë për barrën fiskale, duhet të ketë parasysh këtë gjë. 635 milionë dollarë që do të shlyhen deri në fund të vitit tjetër borxhe të prapambetura. Kujtoni, barra fiskale e rritur në 2 vjet, ajo që quhet e tillë, është vetëm 36 miliardë lekë, ndërkohë që kemi marrë përsipër të shlyejmë 63.5 miliardë lekë, drejtpërdrejt tek sipërmarrja”, tha Brace.

Në paketën e re fiskale, Qeveria ka rritur nga 10 në 15 për qind tatimin mbi të ardhurat personale veç pagës, ndërkohë që në të njëjtën kohë rritet me 10 lekë për litër taksa e naftës dhe 20 lekë për paketë akciza e cigareve.

Top Channel