Jordania pret Kerryn, bisedime për “Jeruzalemin”

13/11/2014 00:00

Mbreti Abdullah i Jordanisë dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohen gjatë së enjtes në Amman, së bashku me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, në përpjekje për të ulur tensionet mes izraelitëve dhe palestinezëve në Jeruzalem.

Më herët, Abdullah akuzoi Izraelin për “sulme të përsëritura” ndaj vendeve të shenjta në Jeruzalem, të cilat sipas tij duhen ndalur njëherë e mirë.

Takimi u paraprin shqetësimeve se dhuna për vendet e shenjta mund të çojë drejt një tjetër kryengritje palestineze, gjë që do të komplikonte rolin e Jordanisë në koalicionin e udhëhequr prej SHBA-ve në luftën ndaj grupit të militantëve ekstremistë të Shtetit Islamik.

Trazirat janë shtuar gjatë javëve të fundit mbi vendin më të shenjtë dhe tepër të ndjeshëm politikisht të Jeruzalemit, të konsideruar nga muslimanët si “vend i paprekshëm”, aty ku dhe ndodhet xhamia al-Aqsa, ndërsa nga hebrejtë njihet si Tempulli i Malit, ku qëndronin dikur tempujt e tyre biblikë, i cili u ndalohet hebrejve për lutje.

Takimi tripalësh në kryeqytetin jordanez “do të fokusohet në mënyrat se si rikthehet qetësia dhe të ulen tensionet në Jeruzalem”, tha zv/zëdhënsja e DASH, Marie Harf.

Kerry, i cili ka shtuar ndalimin në Amman pas udhëtimit të tij në Europë, Kinë dhe në qytete të tjera të Lindjes së Mesme, bisedoi më herët gjatë ditës në Amman me monarkun jordanez, i cili e ka nën kujdestari xhaminë al-Aqsa, si dhe me Presidentin palestinez, Mahmoud Abbas.

Një deklaratë e Pallatit mbretëror citonte Abdullah t’i ketë thënë Kerryt se “Izraeli duhet t’i japë fund veprimeve të njëanshme dhe sulmeve të përsëritura ndaj vendeve të shenjta në qytetin e Jeruzalemit, e veçanërisht ndaj atyre që kanë për objektiv ‘Noble Sanctuary’ dhe xhaminë al-Aqsa”.

Jordania thirri ambasadorin e saj nga Izraeli në shenjë proteste gjatë javës së kaluar, për herë të parë që prej nënshkrimit të traktatit të paqes mes dy vendeve në vitin 1994. Vizita e Netanyahut në Amman do të jetë e para që prej janarit, por zyra e tij ka refuzuar të bëjë ndonjë koment mbi takimin.

Top Channel