“Partia Radikale e Serbisë do të angazhohet menjëherë për të ndaluar integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.

Kështu ka deklaruar kryetari i saj Vojisllav Sheshel, i cili, një ditë pasi u kthye në Beograd nga gjykata e Hagës, ka thënë se politika e kësaj partie pa idenë e Serbisë së madhe do të ishte e pakuptimtë.

Megjiithatë, Sheshel ka thënë se mënyra për realizimin e idesë, përmes largimit nga pushteti të kryeministrit Vuçiç dhe presidentit Nikoliç, do të jetë paqësore.

“Për këtë ide janë betuar edhe Tomisllav Nikoliç e Aleksandar Vuçiç për plot 15 vjet. Por çfarë bëjën ata sot në skenën politike? Ata janë më të prirur ta tradhëtojnë Serbinë. Edhe Tadiç, si tradhëtar i madh, për 10 vjet nuk do të tradhëtonte aq sa kanë tradhëtuar Nikoliç e Vuçiç bashkë me Ivica Daçiç për një muaj”, ka deklaruar Sheshel.

Sipas tij, gjatë gjithë kësaj kohe Serbia është shitur duke bërë kompromise për Kosovën. Vendi, ka nënvizuar ai, duhet të jetë në pakt me Rusinë dhe me vende të ngjashme me të.

“Kot bërtet Aleksandar Vuçiç për kryeministrin shqiptar. Pse nuk ka bërtitur në këtë mënyrë ndaj Perëndimit që vazhdimisht thotë se pavarësia e Kosovës është fakt i kryer?! Është e lehtë të reagosh ndaj një të mjeri nga një shtet i vogël, por duhen kundërshtuar fuqitë e mëdha që kanë politika kundër Serbisë e që udhëheqin edhe politikën në Shqipëri”, ka shtuar krimineli i luftës.

Kryetari i radikalëve është kthyer pas 12 vitesh nga Haga dhe ka thënë se e kanë liruar përkohësisht pasi nuk kanë ditur ç’të bënin me të.

Ai ka shtuar se nuk do të kthehet vullnetarisht në gjykatë edhe nëse dënohet, ndërsa dy kanceret me të cilat është diganostifikuar, në mënyrë cinike i ka quajtur “Vuçiç e Nikoliç”.

Top Channel