Akuzat për korrupsion, FBI heton FIFA-n

13/11/2014 00:00

Hetuesit amerikanë po përshpejtojnë punën e tyre investiguese për akuzat e korrupsionit mes liderëve më të lartë të FIFA-s, edhe pasi organi më i lartë qeverisës i futbollit botëror “shfajësoi” vetveten.

Komiteti i Etikës së FIFA-s njoftoi të enjten mbylljen e hetimeve për akuzat e korrupsionit në lidhje me dhënien e të drejtës organizative të Botërorëve 2018 dhe 2022, respektivisht ndaj Rusisë dhe Katarit, një proces që është vënë në dyshim.

Sipas FIFA-s, hetimet e ndërmarra prej saj nuk kanë gjetur asnjë të dhënë pro akuzave për korrupsion, ndaj dhe nuk ka arsye për të rihapur procesin e kandidimit për organizimin e këtyre eventeve sportive.

Por, ndryshe nga ta, Byroja Federale e Hetimit (FBI) nuk është e gatshme të bëjë të njëjtën gjë, teksa udhëheq hetimet prej vitesh. Hetuesit amerikanë do të përshpejtojnë hetimet e tyre, të cilat mund të rezultojnë në akuza të rëndësishme ndaj zyrtarëve më të lartë të FIFA-s, sipas zyrtarëve të zbatimit të ligjit në SHBA.

Agjentët e FBI-së, që ndodhen në Nju Jork aktualisht, do të vijojnë hetimet 3-vjeçare, të cilat me shumë mundësi do të kenë se ç’të përfitojnë pas gjetjeve të një ish-prokurori amerikan, Michael Garcia, i cili u punësua nga FIFA për të bërë një hetim të brendshëm. FBI-ja ka planifikuar të kërkojë akses në raportin e Garcias, të cilin FIFA nuk e ka publikuar edhe të gjithin.

Deri më tani, FBI nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare, por gjasat janë që do të ketë ç’të thotë deri në përfundim të hetimeve ndaj FIFA-s.

Top Channel