Liderët politikë kthehen nga Brukseli

13/11/2014 00:00

Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi dhe ai i LDK-së Isa Mustafa kanë përfunduar vizitën në Bruksel, ku kanë takuar ndarazi kryetarin e Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul.

Gjatë qëndrimit në Bruksel ishte planifikuar të zhvillohej edhe një takim kokë më kokë mes Thaçit dhe Mustafës, por të enjten asnjë nga partitë nuk ka folur nëse është mbajtur apo jo ky takim.

Në komunikatën për shtyp të LDK-së thuhet se kryetari Mustafa në Bruksel ka takuar kreun e PPE-së, me të cilin kanë folur për zhvillimet politike në Kosovë.

Sipas komunikatës, Mustafa në këtë takim paraqiti vizionin e LDK-së për krijimin e institucioneve të Kosovës dhe përshpejtimin e procesit të integrimit euroatlantik të vendit.

Nga ana tjetër, PDK nuk ka dërguar asnjë njoftim rreth vizitës së Thaçit dhe takimeve të tij me zyrtarët evropianë.

E ndërsa liderët e dy partive më të mëdha ndodheshin në Bruksel, në Prishtinë liderët e tjerë të Bllokut paszgjedhor nuk kanë pasur ndonjë takim publik për të diskutuar rreth ridizajnimit të marrëveshjes së tyre.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ndërkohë ka planifikuar që të premten të kthehet në bazën elektorale, ku do të vizitojë strukturat e partisë dhe qytetarët në Deçan dhe Therandë.

Pas kthimit të gjithë liderëve partiakë në Kosovë, në fillim të javës së ardhshme presidentja Atifete Jahjaga pritet që t’i mbledhë ata për të kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë për formimin e institucioneve.

Top Channel