Hagel: Intensifikim të luftës ndaj ISIS

13/11/2014 00:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ka bërë të ditur të enjten se sulmet ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër militantëve të Shtetit Islamik do të intensifikohen në të ardhmen, pasi forcat tokësore irakiane janë përmirësuar ndjeshëm dhe janë bërë më efektivë.

Duke mbrojtur strategjinë e SHBA-ve gjatë një raportimi në Dhomën e Përfaqësuesve, Hagel tha se “me forcimin e forcave irakiane, ritmi dhe intensiteti i fushatës ajrore të koalicionit tonë do të përshpejtohen së bashku”.

Reagimi i Hagel vjen në të njëjtën ditë, kur lideri i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, bëri thirrje për sulme në Arabinë Saudite, duke thënë se kalifati i tij duhej zgjeruar anembanë botës arabe, si dhe bëri thirrje për “vullkanet e xhihadit” në fjalimin që presupozohet të jetë bërë prej tij.

Baghdadi tha gjithashtu se fushata ushtarake e udhëhequr nga SHBA-të kundër grupit të tij në Siri dhe Irak po dështonte. Fjalimi i tij nuk mund të konfirmohet ende në mënyrë të pavarur, por ai ka përfunduar tashmë në faqet e internetit të xhihadistëve.

Fjalimi nuk ka një datë se kur është bërë, por përmbante edhe referenca ndaj 7 nëntorit, kur SHBA-të njoftuan se Presidenti Barack Obama miratoi dërgimin e 1500 trupave të tjerë amerikanë në Irak.

“O bij të Arabisë Saudite… koka e gjarprit dhe zemra e sëmundjes janë ende atje, nxirrni shpatat dhe merrjani jetën, sepse nuk do të ketë siguri për shpirtrat tuaj”, tha Baghdadi duke iu referuar udhëheqësve të Arabisë Saudite.

Ndërkohë, duke iu drejtuar militantëve të tij, ai është shprehur: “O ushtarë të Shtetit Islamik, shpërtheni vullkanet e xhihadit kudo ku jeni. Ndriçoni tokën me zjarr kundër të gjithë diktatorëve”.

Ndërsa për sulmet ushtarake të SHBA-ve: “Pavarësisht se kjo fushatë kryqëzatash është më e ashpra e të gjithave, ajo është dështimi më i madh. Ne shohim se Amerika dhe aleatët e saj janë kapluar nga frika, dobësia, pafuqia dhe dështimi”.

Top Channel