Siri, “braktisja” e dy fëmijëve dhe nënës

13/11/2014 00:00

Shkëlzen Dumani, një prej shqiptarëve që kishte shkuar në Siri për të luftuar, i shpallur në kërkim nga shteti shqiptar, ka mbetur i vrarë.

Dibrani, një vit më parë u largua drejt Sirisë, duke marrë me vete dy fëmijët e tij, 9 dhe 11 vjeç, pa e njoftuar bashkëshorten.

Në atë kohë, gruaja denoncoi në Prokurori rrëmbimin e fëmijëve, duke futur emrat e tyre në listën e personave të zhdukur.

Policia turke arriti t’i mbante disa orë në aeroport, por falë procedurave burokratike, ai mundi të largohej drejt destinacionit.

E dëshpëruar, nëna e Shkëlzenit u lidh me të në telefon, por edhe pse iu lut të kthehej, Shkëlzeni nuk u bind. Ajo u nis për në Siri, në përpjekje për të marrë nipin dhe mbesën, por u mbajt aty.

Drama familjare tashmë u përket dy fëmijëve dhe gjyshes, të cilët askush nuk e di me saktësi se te cili kamp janë, apo në çfarë pjese të Sirisë.

Pak kohë më parë, një rast i ngjashëm ishte dhe në Kosovë, kur një luftëtar mori fëmijët me vete, por Shërbimi Sekret i Kosovës arriti t’i kthente fëmijët nënës. Për shkak të papërgjegjshmërisë së një prindi, sot dy fëmijë të vegjël janë në Siri, ndërsa familja bën apel për kthimin e tyre sa më parë në Shqipëri.

Top Channel