Botimet e reja nga “Saras”

13/11/2014 00:00

Shtëpia Botuese “Saras” ka promovuar katër botimet më të reja të saj: “Ali Pashë Tepelena, krime famëkeqe”, me autor Aleksandre Dumas; “Qyteti bri lumit”, nga fituesi i çmimit “Nobel” për Letërsinë të vitit 2001, V.S. Naipaul; “Hije mbi liqen”, me autorë italianët Cocco & Magella; si dhe “Syri i keq”, nga Jason Goodwin.

“Një nga librat më të rëndësishëm të shkruar mbi një nga personazhet më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, që është Ali Pashë Tepelena. Autori është një nga penat më të rëndësishme të të gjitha kohërave, duke qenë disi edhe bashkëkohës, pavarësisht se e ka shkruar më vonë, pasi ka vdekur Ali Pashë Tepelena. Mendoj se është një libër shumë i bukur”, është shprehur Besnik Myftari, drejtor i Shtëpisë Botuese “Saras”.

“Patëm idenë që librin e Aleksandre Dumas, i cili nuk njihet ose njihet pak mes shqiptarëve, ta hedhim në qarkullim dhe besoj se do t’i japim lexuesit shqiptar një vepër letrare, dhe jo historike. Ka tipare historike, sepse ndjek në mënyrë kronologjike zhvillimet e Ali Pashës, por merret shumë me jetën e tij; si u lind, si u rrit, ku jetoi, etj”, deklaroi Bajram Peçi, administrator i “Saras”.

“Botimin e Naipaul në gjuhën shqipe do ta quaja një ngjarje jo vetëm për Botimet Saras, por edhe për këtë panair, pasi Naipaul është një nga personalitetet dhe autoritetet më të njohura jo vetëm në fushën e letërsisë, por edhe të mendimit të sotëm europian”, tha Alda Bardhyli, redaktore e “Saras”.

“Hije mbi liqen” është një prozë bashkëkohore dhe e denjë.

“Autori ka dy veçantitë e veta, pasi është njëkohësisht historian, por edhe letrar. Thelbi është personazhi po aq i veçantë, Yashim the Eunuch. Ngjarja vendoset përsëri në fillim të shekullit të 19. Dy janë paralelet që ka hequr autori, mosmarrëveshjet e brendshme, njëkohësisht edhe përplasjet e perandorisë me shtete të tjera, një ndër të cilët është edhe Egjipti, që në atë kohë sundohej nga një dinasti e shqiptarëve, me Mehmet Ali Pashën”, tha Fari Laçka, përkthyes i “Syri i keq”.

Gjatë konferencës për shtyp të Shtëpisë Botuese “Saras” ishte i pranishëm edhe Mustafa Nano, autor i librit “Pax Albanica”, të cilin “Saras” e botoi rreth dy muaj më parë.

200-vjetori i lindjes së De Radës
Konferenca në Panairin e Librit për veprën dhe jetën e tij

Në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së Jeronim de Radës, një vëmendje e veçantë për të është kushtuar në Panairin e Librit. Një konferencë është zhvilluar gjatë paradites së të enjtes, ku u diskutua mbi veprat e tij, por edhe veprat që janë shkruar mbi të.

Profesor Emil Lase tha se, në shkolla figura e tij është e reduktuar, pasi prezantohet vetëm si shkrimtar dhe jo për vlerat e tij si gjuhëtar, ndërsa Moikom Zeqo tha se figura e De Radës nuk është prekur nga figura të mëdhaja të letrave dhe propozoi, që për të të jepet titulli “Nder i Kombit”.

“Shqiptarët në Luftën e II Botërore”
Paskal Milo sjell botimin më të ri në prag të 70-vjetorit të Çlirimit

“Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore” është libri i Paskal Milos, i cili sjell historinë e shqiptarëve gjatë viteve të zhvillimit të luftës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe qëndrimit të shqiptarëve në Kosovë, Çamëri, Europë, Shtetet e Bashkuara, Turqi e Egjipt.

Një studim i bazuar edhe mbi materiale të ish-Arkivit të Komitetit Qëndror, të cilat nuk janë të njohura.

“Kam mundur, ose pretendoj se kam bërë një interpretim të ri për mjaft ngjarje dhe personalitete të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Pretendoj se kam sjellë elementë të rinj, pastaj se sa drejt apo shtrembër i kam interpretuar, kjo mbetet çështje debati”, u shpreh Paskal Milo, autor i librit.

Ky është vëllimi i parë i këtij studimi të konceptuar në dy pjesë.

Top Channel