Transportet, gjysma e buxhetit për rrugët

13/11/2014 00:00

Qeveria ka parashikuar të investojë 40.39 miliardë lekë për punime infrastrukturore, gjysma e të cilave do të shkojnë për transportin rrugor.

Por ministri Edmond Haxhinasto thotë se me këto mundësi financimi, pjesa më e madhe e kantiereve të ndërtimit do të vijojnë të mbeten të hapura edhe pas vitit 2015.

“Kemi financuar 76 kantierë dhe vetëm 15 prej tyre përfundojnë brenda këtij viti, që do të thotë se shumë prej tyre mbeten të hapura e që do të përkthehet në kosto shtesë”, ka thënë Haxhinasto.

Një prej tyre është Unaza e Re në kryeqytet, ku në projektin fillestar nuk është parashikuar urbanizimi i zonës, si dhe hyrje-daljet në pjesët me densitet të lartë popullësie.

Ministri Haxhinasto tha se për të përfunduar projektin do të duhen edhe 10 milionë dollarë shtesë. Ndërkohë, një tjetër zë i rritur në buxhet është ai për ujesjellës-kanalizimet, që në total kap shifrën e 15.61 miliardë lekë.

“20 për qind e popullësisë nuk shërbehet me ujë, trajtimi i ujërave të zeza është në qytet 65% ndërsa në fshat 90%”, ka shtuar Haxhinasto. Ministri Haxhinasto ka shtuar se prioritet do të kenë rrugët që lidhin akset kryesore me zonat turistike dhe pikat kufitare.

Top Channel