Shpërthimi në zyrën e OSHEE-së, Gjiknuri: Akt terrorist

13/11/2014 00:00

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i është përgjigjur interesit të mediave lidhur me 3 shpërthimet e eksplozivëve të ndodhura gjatë mbrëmjes së të mërkurës, ku një nga objektivat ishte zyra e kujdesit të klientit të OSHEE-së në Fushë-Krujë.

“Çdo ngjarje kriminale do të hetohet dhe unë besoj se nuk ka shanse njeri që të përsërisë atë që ndodhi dje”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërkaq, gjatë pasdites së të enjetes ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri ka vizituar ambjentet e zyrës së OSHEE-së në Fushë-Krujë, e cila sipas tij ra pre e një “sulmi terrorist”, që megjithatë nuk do ketë asnjë ndikim në aksionin e nisur tashmë.

“Ky sulm synon të frikësojë forcat e rendit, punonjësit e OSHEE-së dhe qeverinë që të ndalë këtë fushatë të nevojshme, që është beteja e qytetarëve të ndershëm ndaj abuzuesve. Ky akt terrorist është konfirmim i rezultatit të aksionit tonë. Nuk ka terrorizëm që të frenojë betejën e ligjit me antiligjin dhe që të frenojë mbështetjen e popullatës ndaj këtij aksioni kundër abuzuesve”, ka thënë Gjiknuri.

PD: Policia në duart e militantëve

Ndërkaq, Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për situatën e krijuar nga atentatet me tritol, duke e vënë theksin tek keqmenaxhimi që ajo po i bën Policisë së Shtetit, e cila sipas opozitës është mbushur me militantë që zëvendësojnë profesionistët.

“Brenda 12 orëve të fundit, 3 shpërthime me tritol kanë tronditur Tiranën, Krujën e Fushë-Krujën. Është ky agresioni më i madh që mund të bëhet ndaj pronës, e ndaj jetës së qytetarit. Vrasje po ndodhin cdo ditë.

Aksidentet me jetë të humbura janë shtuar. Policia e Shtetit gjendet këto ditë në momentet më kritike, pasi  fushata e dorëzimit të saj përfundimtar në duart e militantëve, po jep efektet e saj të plota.

Edi Rama dhe ministri i tij, kanë zhbërë dhe po zhbëjnë, deri në specialistin e fundit, investimin e madh të shoqërisë shqiptare, investimin prej miliona dollarësh të partnerëve amerikanë, investimin maksimal të partnerëve europianë, për trainimin, dhe përgatitjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit.

Presim nga partnerët ndërkombëtarë të nxjerrin konkluzionet e duhura për cka po ndodh me Policinë e Shtetit, me investimin e taksapaguesve europianë dhe amerikanë.

I kujtojmë z.Rama, se pakënaqësinë që ka shkaktuar në popull, protestën që pritet të vijë, nuk e ndal dot as me policë, as me militantë të veshur si policë”, ka deklaruar deputeti Arben Ristani.

Top Channel