Vettel: Me Ferrarin po marr risqe mbi supe

13/11/2014 00:00

Nuk mundet ta thotë ende me zë të lartë, por Sebastian Vettel do të garojë vitin e ardhshëm me Ferrarin.

“Po bëj një hap drejt një të panjohure, ndaj dhe është një risk që marr përsipër. E kam menduar mirë vendimin tim, përpara se të largohem nga Red Bull. Nëse nuk do të isha i bindur mbi të qenit në gjendje për të pasur sukses, nuk do të kisha guxuar kaq shumë”.

Piloti gjerman, 4 herë kampion bote radhazi, i cili është vetëm 1 garë larg dorëzimit të “kurorës” së kampionit zyrtarisht te një nga pilotët e Mercedesit, vjen nga një vit i vështirë.

“Po, e kam menduar edhe tërheqjen. Në një moment kur makina mund të aktivizohet vetëm me kompjutera, atëherë lind pyetja: çfarë lidhje ka e gjithë kjo me garimet?”.

Në një intervistë për “Auto Motor und Sport”, kampioni i botës, apo i konsideruar edhe si “pasardhësi i Schumacher” në Formula 1, është rrëfyer për të ardhmen e tij. Vjen nga një sezon, i cili e ka bërë të vuajë jo pak.

“Mund të mendosh gjithçka, kur gjendesh me dy cilindra më pak, apo kur makina nuk merr urdhrat nga motori por nga një kompjuter”.

Më pas, sa i përket vendimit për të vazhduar të garojë, ndoshta edhe për shkak të mungesës së alternativave, ai është shprehur: “Makinat janë bërë më të lehta, por sërish janë më të shpejtat në qarkullim”, thotë Vettel.

Ndërsa për Ferrarin: “Uroj që të mund ta shpall sa më shpejt atë që do të ndodhë në të ardhmen, por në këtë moment më duhet të jem i duruar”.

Në Maranello, Sebastian do të duhet të punojë shumë. “Jam i ndërgjegjshëm përpara faktit se do të vihem përballë një detyrë tepër të vështirë, që do të kërkojë kohë. Mbi të gjitha në një moment kur Mercedesi ka një avantazh të jashtëzakonshëm, sa i përket konkurrueshmërisë”.

Top Channel