Komisioni i ligjeve, debate për fondet e pushtetit lokal

13/11/2014 00:00

Kur diskutohet buxheti dhe insitucionet shtetërore shkojnë në komisionin e ligjeve, ata gjithmonë kërkojnë më shumë fonde. Kjo ndodhi edhe këtë vit, sepse paratë, edhe kur janë më shumë, nuk mjaftojnë asnjëherë.

Zakonisht gjendet një kompromis me Ministrinë e Financave, por këtë herë ajo që ra në sy ishte pakënaqësia e disa deputetëve të mazhorancës për grantet që qeveria jep për pushtetin lokal.

I pari ishte ish-ministri i Pushtetit Lokal, Blendi Klosi, aktualisht deputet i qarkut Durrës, i cili i kërkoi ministrit të Financave, Shkëlqim Cani të ndryshohet formula e shpërndarjes së fondeve qeveritare për pushtetin vendor, në mënyrë që Dibra, me më pak banorë se Durresi, të mos jetë qarku i parë për nga sasia e fondeve që merr nga qeveria dhe qyteti bregdetar të jetë i fundit.

“Tirana, Durrësi apo Vlora nuk mund të jenë tre qarqet e fundit në listën e investimeve. Në këto qarqe është numri më i madh i popullsisë në vendin tonë, kështu që rishikojeni formulën zoti ministër”, deklaroi deputeti Klosi.

“Kjo formulë është e USAID në vitin 2001, kur në pushtet ishte Partia Socialiste dhe gjatë gjithë këtyre viteve nuk është ndryshuar”, replikoi ministri Cani.

“Formula mund të ketë qenë shumë e mirë në vitin 2001, zoti ministër, por sot ajo ka rënë”, vijoi me qëndrimin e tij Klosi.

Ish-ministri tjetër socialist për Pushtetin Lokal, Bashkim Fino i kujtoi ministrit të Financave premtimin e parealizuar të një viti më parë, se formula e shpërndarjes së granteve do të rishikohej.

Dhe veç kësaj, zoti Fino, me profesion ekonomist, pasi mori edhe një herë premtimin se kjo do të ndodhë pas ndarjes së re administrative, dha një shpjegim tjetër nga ai i ministrit Cani ëerse kolegët e mazhorancës janë të pakënaqur.

“Kjo ndarje në pushtetin lokal e kuptova që është për t’u goditur nga të gjithë krahët dhe unë nuk pres të marr ndonjë vlerësim pozitiv edhe pse ju them se pushtetit lokal i kemi dhënë 6 herë më shumë rritje se gjithë buxhetit të ekonomisë shqiptare”, deklaroi më tej ministri Cani.

“Granti i pakushtëzuar në vlerë absolute është më i vogël se 2014 dhe duke qenë kështu të gjithë kolegët janë të pakënaqur. Sepse të gjitha grantet për bashkitë dhe komunat janë pak me minus”, argumentoi zoti Fino në qëndrimin e tij.

Top Channel