Ebola, Dortmundi “bllokon” Aubameyang

13/11/2014 00:00

Borussia Dortmund i trembet rrezikut potencial të Ebolës, ndaj dhe ka vendosur të ndalojë Pierre Aubameyang t’i bashkohet kombëtares së tij, Gabonit, për dy ndeshjet e radhës kualifikuese të vlefshme për Kupën e Afrikës 2015, të premten në Angola dhe të mërkurën e ardhshme në Lesoto.

Sipas të përditshmes gjermane “Bild”, klubi verdhezi ka përfituar nga grumbullimi me vonesë i Aubameyang, një ditë pasi kishte dalë lista zyrtare e të grumbulluarve nga Federata e Gabonit, për ta mbajtur në Gjermani dhe për të mos e ekspozuar ndaj rrezikut të virusit vdekjeprurës.

Në realitet, me masat paraprake, nuk duket të jetë ndonjë rrezik i madh në vendet ku do të luajë Gaboni, por gjithsesi sulmuesi i ekipit të drejtuar nga Klopp ka thënë se “Federata ime ka bërë një gabim. Por, mund të marrë masat që të jem në ndeshjen e dytë”.

E nëse Dortmundi ka vendosur të ndalojë largimin e lojtarit të tij, klubet e tjera gjermane kanë lënë të lirë lojtarët e tyre me kombësi nga vendet e Afrikës: Traore, nga Gladbach te Guinea; Makiadi, nga Werder te Kongo; Kalou, nga Hertha te Bregu i Fildishtë; Sane, nga Hannover te Senegali; Baba, nga Augsburg te Gana; dhe Choupo-Moting, nga Schalke te Gana.

Top Channel