“Topi i Artë”, a mund t’i jepet një portieri?

13/11/2014 00:00

Një gumëzhimë magjepsjeje miratimi u dëgjua nga rreth 50 mijë spektatorët e pranishëm në stadiumin e Frankfurtit, gjatë fitores 4-0 të Bayernit të shtunën e kaluar, e që shumë shpejt u ndoq nga duartrokitjet e tifozëve vendas, pas atij pasimi me takë të Neuerit te Xabi Alonso.

Gareth Bale ishte i pari i impresionuar, i cili i thuri lavde këtij momenti përmes rrjetit Twitter, ndërkohë që i gjithë komuniteti i futbollit është bashkuar në një zë të vetëm, duke thënë se sa talent të jashtëzakonshëm si portier, por edhe aftësi speciale, që ka ky “gardian” i katërkëndëshit të Gjermanisë, pas një kohe të konsiderueshme mungese tashmë.

Portieri 28-vjeçar pati disa momente magjike të tilla edhe gjatë Botërorit të Brazilit, ku Gjermania fitoi titullin kampion falë performancave kolektive të jashtëzakonshme, me një stil loje sulmues dhe me lëvizje tepër të lirshme në repartin e avancuar.

E megjithëse vëmendja ishte te loja sulmuese, Neuer nuk mbeti tërësisht në hije, pasi sensi i tij perfekt i daljeve në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, bëri që ai të konsiderohej si një lojtar i 11-të në fushën e blertë (jo vetëm në zonën e rreptësisë ku e kanë vendin portierët), duke thyer disa prej shanseve më të arta të kundërshtarëve për të shënuar ndaj kombëtares së tij.

Është pikërisht kjo arsyeja, përse portieri gjigant i Bayern Munchenit është mes favoritëve për të fituar “Topin e Artë” 2014. Ndërkohë, një tjetër portier, ai i Belgjikës, ish-Atleticos dhe tashmë i Chelseat, Thibaut Courtois, është disi më mbrapa, por sërish ka zhvilluar ndeshje shumë të mira gjatë këtij viti. Por, a mundet një portier t’ia dalë mbanë të fitojë këtë trofe personal në futboll?

Vetëm legjendari Lev Yashin ka mundur të fitojë një “Top të Artë”, por edhe ai në vitin e largët 1963, ndërsa portieri i fundit i cili iu afrua shumë pranë këtij trofeu ishte një tjetër gjerman, Oliver Kahn, i cili mori “Topin e Artë adidas” si lojtari më i mirë i Botërorit të vitit 2002, në Korenë e Jugut dhe Japoni, duke dalë i dyti pas Ronaldos 6 muaj më vonë.

Kahn, tashmë 45 vjeç, ka qenë i ndërgjegjshëm për vështirësitë e “gardianëve” për të fituar lavdi. “Bota është bardhezi për portierët”, tha ai në një intervistë për FIFA-n. “Ndonjëherë si portier të duhet të përballesh vetëm me 1 gjuajtje gjatë 90 minutave, por ajo gjuajtje përfundon pas shpine. Kështu që shfaqesh si ‘budall’ përpara shikuesve. Në një tjetër ditë, ti mund të shpëtosh 3 apo 4 raste të pastra, atëherë kur kushdo të thotë se je ‘portier klasi’, por këtu nuk është gjykim i drejtë”.

E megjithatë, deri në janar të 2015-s, kur dhe do të jepet trofeu, ka ende kohë për t’i dhënë shpresa një portieri të jashtëzakonshëm, sa që shumë vetë e quajtën si “mbrojtës” gjatë Botërorit.

Top Channel