Lufta kundër krimit, prokurori belg në Tiranë

13/11/2014 00:00

Pas goditjes së një grupi nga Shkodra, që vepronte në Belgjikë duke grabitur banesa, prokurori federal i Belgjikës, Frederik van Leuv, ishte në Tiranë, ku edhe takoi zyrtarë të akuzës shqiptare për çështje të tjera hetimore, që ndodhen nën hetim.

Gjatë një takimi me kryeprokurorin e Krimeve të Rënda, Eugen Beci, Prokurori e cila zbatoi letërporositë për grupin e Shkodrës, mësohet se Leuv ka diskutuar për dosje të tjera, por zyrtarisht nuk dihen detaje se për çfarë bëhet fjalë.

Prokurori federal i Mbretërisë së Belgjikës u takua edhe me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e mëtejshëm në luftën kundër krimit të organizuar.

Zyra e shtypit tha se zoti Llalla ka theksuar se ekzistojnë mundësitë reale, që shtetas të ndryshëm shqiptarë të jenë përfshirë në krimin e organizuar dhe të mbajnë lidhje me vendin e origjinës, sidomos në tentativat për të pastruar parà.

Ndërkohë, në këtë kontekst, zoti Leuv solli si shembull aksionin e përbashkët, ku u godit një grup i strukturuar që grabitjet i kryente në Belgjikë, ndërkohë që të ardhurat nga krimi ua sillnin të afërmve të tyre në Shqipëri.

Top Channel