Plagoset me thikë Florenc Hoxha, kreu i INUV

13/11/2014 00:00

Kreu i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor në Tiranë, Florenc Hoxha është plagosur me thikë gjatë orëve të mbrëmjes së të enjtes në një lokal në Farkë.

Sipas të dhënave paraprake të Policisë së Tiranës, mësohet se Florenc Hoxha është qëlluar me thikë në trupë nga ish-shoqëruesi i tij, Indrit Deliaj, i larguar nga puna dy muaj më parë.

Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti verbal që këta të dy kanë pasur në ambientet e brendshme të lokalit, i cili ndodhet përballë banesës së Hoxhës.

Ende nuk bëhen të ditura shkaqet e konfliktit mes tyre, por dyshohet se largimi nga puna të jetë një prej motiveve kryesore të këtij konflikti.

Menjëherë pas ngjarjes, sipas policisë, mësohet se autori i dyshuar është larguar me një automjet tip “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë.

Ndërkaq, kreu i Insepektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor, Florenc Hoxha është dërguar me urgjencë në spitalin “Nënë Tereza”, nga ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga ana e tyre, blutë e kryeqytetit me të mbërritur në vendngjarje, kanë nisur mbledhjen e dëshmive të personave të pranishëm në momentin e ngjarjes në lokal, si dhe kanë ngritur postblloqe të shumta në rrugët lidhëse me Komunën Farkë, për të bërë të mundur ndalimin e autorit të dyshuar të ngjarjes.

Top Channel