Hahn: Rivendosni dialogun në Kuvend

14/11/2014 00:00

Komisioneri për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, pritet të vizitojë Shkodrën vitin e ardhshëm për të parë nga afër ndeshjen Shqipëri-Serbi.

Këtë qëllim, komisioneri austriak e shprehu gjatë deklaratës së përbashkët pas takimit me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, me të cilin bisedoi për zhvillimet politike në vend, përfshirë bojkotin e parlamentit, si dhe për çështjet e bashkëpunimit rajonal.

“Është kyçe që reformat të bazohen në një dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm. Unë mendoj se ne të dy tregojmë se është e mundur. Ne jemi vitrinë e këtij dialogu politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm. Dhe prandaj është kyç për qeverinë dhe opozitën për të marrë hapa për të rivendosur dialogun politik në parlament dhe për të kontribuar në krijimin e kushteve për funksionimin e saj të duhur. Unë i bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësit në jetën politike, jo vetëm në Shqipëri, por kudo që të ketë debat politik në Parlament dhe ajo që dua të shoh është pjesë e kulturës europiane për të bërë debat në Parlament. Ne do të bëjmë ç’është e mundur në 5 vitet e ardhshme për të përgatitur vendin, por varet pak a shumë nga vetë vendi dhe jeni ju ata që vendosni për shpejtësinë. Por më lejoni t’ju them se në këtë kuptim nuk ka kufizime për shpejtësinë, prandaj varet nga ju se sa shpejt mund të ecim, por ne mbetemi në krahun tuaj dhe në dispozicion për të ndihmuar për negociatat. Përmendëm faktin se angazhimi konstruktiv i Shqipërisë në rajon është një aset i qartë dhe është shumë e rëndësishme që kjo të ruhet. Në veçanti mirëprita angazhimin e vendit ndaj procesit të Berlinit për lidhjet në Ballkan dhe të dy çmuam mbështetjen politike, por detyra ime sidomos është që të dorëzoj mbi projekte shumë konkrete për të lidhur njerëzit në Ballkan dhe për të kontribuar në procesin e mirëqenies dhe paqes në rajon”, u shpreh Johannes Hahn.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka deklaruar: “Ne jemi të vendosur për të vijuar me mirëkuptim bashkëpunimin politik gjithëpërfshirës dhe do të punojmë ngushtë me shërbimet tuaja në këtë drejtim. Ne kemi biseduar në të kaluarën për kushtëzimin, për angazhimin mbi kushtet, për parashikimin e procesit, për besueshmërinë e procesit, dhe jam i lumtur të dëgjoj se tani do të flasim për efikasitetin e këtij procesi. Ne flasim për mirëqeverisje ekonomike që është shtyllë kryesore e strategjisë për zgjerimin dhe do të jetë një ushtrim nxehje (shtysë) për ekonominë tonë”.

“Meqenëse jam tifoz futbolli, kam premtuar se do të vizitoj për të parë ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë, vjeshtën e ardhshme, në Shkodër”, shtoi Hahn.

Javën e ardhshme, Hahn do të jetë në Serbi e Mal të Zi. Deri tani, agjenda e Komisionerit të ri parashikon vizita vetëm në dy vende të Ballkanit që kanë nisur tashmë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian, siç përcakton dhe titulli i mandatit të tij.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel