Korea e Veriut, të dërguar të posaçëm në Rusi

14/11/2014 00:00

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong un do të nisë një të dërguar të posaçëm në Rusi, ka bërë të ditur media shtetërore në Penian.

Megjithatë, agjencia qëndrore e lajmeve KCNA nuk e sqaroi motivin e vizitës dhe as datën se kur zyrtari i lartë i Partisë Komuniste, Choe Ryong hae do të niset.

Në kohën sovietike, Rusia ishte një aleat i ngushtë me Veriun, të cilin e furnizonte me ndihma dhe teknologji armatimi. Marrëdhëniet me Kinën, mbështetësi kryesor i Penianit në vitet e fundit, janë tensionuar së fundmi.

Pekini po distancohet nga vendi fqinj pas tensioneve të ngritura vitin e kaluar me testin e tretë bërthamor dhe me kërcënimet për sulme ndaj objektivave të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.

Gjithashtu, Korea e Veriut është tërhequr nga bisedimet 6-palëshe për çarmatimin bërthamor, ku përfshiheshin Kina, dy Koretë, Rusia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

Vizita e paralajmëruar vjen në prag të votimit të një rezolute javën e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e nxitur nga BE dhe Japonia, që dënon Veriun për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Choe Ryong hae është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kim Jong un dhe vitin e kaluar vizitoi Kinën si i dërguari i tij i posaçëm, ku u takua me presidentin Xi Jinping.

Zoti Choe ka qenë gjithashtu pjesë e delegacionit të profilit të lartë që vizitoi në tetor Korenë e Jugut, për të rinisur bisedimet e nivelit të lartë.

Top Channel