Studiues dhe gazetarë organizuan të enjten në Tetovë një debat rreth identitetit kombëtar, harmonisë fetare dhe kursit të orientimit të kombit shqiptar.

Debati u zhvillua me nismë të shoqatës “Josif Bageri” dhe gjatë tij u njoftua edhe ngritja e një muzeu në nder të kësaj figure.

Historiani Bujar Kule foli për padrejtësitë e shteteve evropiane ndaj shqiptarëve në të kaluarën, që sipas tij kanë sjellë përçarjen e shqiptarëve, që sot është madje më e madhe se në të kaluarën.

“Nga ana e përçarjes, ne jemi po aq të përçarë sa në 1912-n. Madje jemi edhe më keq, sepse atëherë ishin ende idetë e Rilindjes Kombëtare që na nxisnin të ndiheshim shqiptarë. Ato ide thoshin: harrojini kufijtë! Nëse ju ndiheni shqiptarë, kufijtë do të zhbëhen”, tha Kule.

Ndryshe, gazetari Marin Mema vlerësoi se fajin për përçarjen duhet kërkuar në radhë të parë tek vetja e jo tek të tjerët. Mema foli edhe për shqiptarët e asimiluar të Rekës së Epërme, duke thënë se politika nuk ka bërë asgjë që ata t’i rikthehen identitetit të vërtetë.

“Ne po flasim e riflasim për problemet e shqiptarëve të Maqedonisë, të shqiptarëve të Rekës. Por a duhet t’i kërkojmë këto probleme tek Shqipëria, apo tek njerëzit që janë zgjedhur me votë për t’i zgjidhur ato? Çfarë bëjnë këta njerëz? Për mua nuk kanë bërë ndonjë gjë të madhe. Prandaj unë do të doja që fillimisht ta kërkojmë fajin tek vetja e më pas, të unifikuar t’i imponohemi Evropës”, tha Mema.

Ndërsa profesori Salajdin Saliu, duke folur për identitetin e kombeve kritikoi përpjekjet për krijimin e kombit kosovar, duke thënë se një gjë e tillë shkakton përçarje tek populli shqiptar.

“Çdo popull ka kodet e tij identitare dhe me ato nuk bën kurrëfarë kompromisi. Kodet janë gjuha, ajo që neve na bashkon. Për ta ndryshuar një kulturë apo për të krijuar një komb të ri, siç janë këto budallallëqet për krijimin e kombit kosovar, këto janë procese anti-historike”, tha Saliu.

Drejtuesit e shoqatës “Josif Bageri” paralajmëruan ngritjen e një muzeu për këtë figurë të historisë shqiptare dhe thanë se janë në negociata për ngritjen e përmendores së tij në Shkup.

Top Channel