KQZ hap lojën e referendumeve, rrëzon kërkesën e PS

14/11/2014 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 4 vota pro, vendosi miratimin e kërkesës së nismëtarëve për pajisjen me fletë-tip për mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për referendum vendor për 129 nga 135 komuna e bashki që kishin paraqitur kërkesën për zhvillimin e referendumeve kundër Reformës Administrativo-Territoriale.

Mes komunave e bashkive kërkesa e të cilave është pranuar, bie në sy Bashkia Leskovik, ajo Mamurras, Bashkia Fushë–Kruje si dhe komunat Ksamil, Lazarat, Xarë e Markat.

Më herët Partia Socialiste iu drejtua KQZ-s me një kërkesë për pezullimin e trajtimit të kërkesave për referendum nga disa komuna, derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet për kërkesën e Partisë Demokratike, që kërkon shfuqizimin e ligjit për ndarjen e re territoriale.

Genc Gjonçaj përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ kërkoi që në mbledhje të ishin prezentë dhe grupet nismëtare, që kanë kërkuar referendumin. Ndërsa Njazi Kosovrasti, përfaqësuesi i PD-s në këtë komision, kundërshtoi propozimet e Gjonçaj. Sipas tij kërkuesit të jenë prezentë në sallë nuk përbën një detyrim ligjor, ndërsa sa i takon çështjes së Kushtetueses, Kosovrasti tha se PD ka kërkuar shfuqizimin e ligjit për ndarjen territoriale si antikushtetues.

Pasi ka dëgjuar palët KQZ e rrëzoi këtë kërkesë të Partisë Socialiste.

Top Channel