E ardhmja e ‘Philae’ e pasigurtë

14/11/2014 00:00

E ardhmja e misionit historik të Agjencisë Hapësinore Europiane, ESA në kometën 67/P është e pasigurtë.

Roboti Philae u ul me sukses në sipërfaqjen e kometës pasi u lëshua po me sukses nga sateliti Rosetta. Por ulja nuk ndodhi në pjesën e rrahur nga dielli të kometës, por në anën e errët të saj. Kjo ka bërë që bateritë e robotit të mos karikohen.

Shkencëtarët thonë se për momentin roboti vazhdon të gërmojë në maksimumin e vet në sipërfaqjen e kometës, pavarësisht se bateritë ndodhen në minimum.

Studiuesit shpresojnë që para se të fiket të sigurojnë dy mostra nga sipërfaqja e kometës për t’u analizuar në laboratorin e robotit.

Dy instrumentë të tjerë, përfshirë këtu një termometër për matjen e temperaturës së kometës, u vunë në funksion gjatë natës, por rreziku është që nëse bateria përfundon, rezultati i këtyre matjeve të mos mbërrijnë kurrë në tokë.

“Planifikojmë të rrotullojmë robotin me disa gradë për të bërë të mundur që panelet e tij të rrihen nga rrezet e diellit për të karikuar baterinë. Kjo mund të zgjonte robotin pas karikimit të baterisë dhe të rivendosnim kontaktet me të”, thotë Stephan Ulamec, pjesë e misionit të ESA-s.

Top Channel