Europa Veriore bashkohet kundër Rusisë

14/11/2014 00:00

Në mesin e shtimit të tensioneve ushtarake, vendet e Europës Veriore janë zotuar të forcojnë bashkëpunimin kundër Moskës.

Me këtë qëllim u takuan për bisedime, në kryeqytetin norvegjez Oslo, ministrat e Mbrojtjes së 8 shteteve nordike e baltike, si dhe ai britanik, të bindur se një bashkim i forcave do të shërbejë si kundërpeshë ndaj rritjes së ndjeshme të aktivitetit ushtarak rus në rajon.

Ministrat ranë dakord të përmirësohet ndarja e informacioneve të inteligjencës dhe të zgjerohen stërvitjet ndërkufitare të Forcave Ajrore mbi territoret nordike.

Takimi erdhi pas akuzave të reja të NATO-s, se Rusia vazhdon të dërgojë trupa në Ukrainë, pas një piku të manovrave provokuese ushtarake të Moskës në qiejt e kontinentit të vjetër, si dhe deklaratave të saj se do të dërgojë avionë bombardues në misione patrullimi deri në Gjirin e Meksikës.

Sipas ministres norvegjeze të Mbrojtjes, Inger Eriksen, të gjithë homologët e pranishëm në konferencë ishin të një mendjeje, se veprimet ruse në Ukrainë janë totalisht të papranueshme e përbëjnë shkelje të parimeve themelore të ligjit ndërkombëtar.

Ministri britanik, Michael Fallon, i çoi edhe më tej kritikat, me deklaratën se Moska i shpërfill rregullisht ligjet e aviacionit ndërkombëtar dhe se ka dërguar avionë patrullues deri në Portugali e Irlandë.

NATO ka regjistruar mbi 100 raste të tillë, që janë tri herë më shumë se në 2013-n dhe të mos harrojmë se viti nuk ka mbaruar akoma, tha Fallon, në një konferencë për shtyp pas takimit. Është e qartë se, në këtë pikë, marrëdhënia jonë me Rusinë ka hyrë në një fazë të re, – shtoi ai, – ashtu siç është po aq e qartë se nuk do ta lejojmë të na pushtojë hapësirën ajrore.

Nga sa pohoi Eriksen, bashkëpunimi i stërvitjeve ajrore mes Finlandës, Suedisë dhe Norvergjisë tashmë do të përfshijë edhe Danimarkën, në mënyrë që të mbulohet e gjithë hapësira ajrore nordike.

NATO, nga ana tjetër, do të ndihmojë vendet baltike – Estoninë, Lituaninë dhe Letoninë, – që të forcojnë ushtritë e tyre.

Top Channel