Sondazhi “Pulsi Publik” mbi institucionet në Kosovë

14/11/2014 00:00

Në Kosovë është shtuar pakënaqësia e opinionit publik në lidhje me punën e institucioneve.

Në raportin “Pulsi Publik”, realizuar nga PNUD dhe USAID, vetëm 25 përqind e qytetarëve të anketuar janë të kënaqur me punën e Legjislativit, Ekzekutivit dhe Gjyqësorit, së bashku.

Në periudhën ndërmjet prillit dhe nëntorit 2014, niveli i kënaqshmërisë me punën e institucioneve qendrore ka rënë me 25 përqind, duke arritur nivelin me të ulët që nga marsi i vitit 2007.

Kështu, vetëm 34 përqind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Kryeministrit, në krahasim me 48.5 përqind, që kishte në prill të vitit 2014. Vetëm 16 përqind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Kuvendit. Edhe pse Presidentja gëzon nivelin më të lartë të kënaqshmërisë nga qytetarët, ky nivel ka pësuar rënie. Rreth 41 përqind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Presidentes, në krahasim me 48.8% në prill të vitit 2014. Qytetarët janë pyetur edhe për bllokun paszgjedhor.

“Qytetarët janë pyetur në lidhje me atë se, ‘a mendojnë që do të ishte mirë, nëse qeveria e re do të formohej nga i ashtuquajturi bllok i formuar nga tri parti?’. Dhe shumica e qytetarëve apo 37 përqind nuk kanë pasur ndonjë opinion për këtë gjë, ndërsa rreth 25 përqind kanë thënë se do të ishte një gjë e mirë, kurse rreth 23 përqind mendojnë që kjo do të ishte një gjë e keqe. Por, kemi edhe 15 përqind, që kanë thënë se është herët të flitet për këtë”, tha Atdhe Hetemi, menaxher i “Pulsi Publik”.

Meqë zgjedhjet gjithashtu konsiderohen të jenë zgjidhje e mundshme për krizën aktuale politike në Kosovë, qytetarët janë pyetur edhe për qëndrimet kundrejt votimit. Anketa e fundit tregon se qëndrimet e kosovarëve ndaj votimit janë mjaft pesimiste.

Një numër mjaft i lartë i të përgjigjurve beson se vota e tyre nuk do të mund ta ndryshojë gjendjen në Kosovë. Ajo që shquhet më shumë në këtë grup pyetjesh është përqindja e lartë e atyre, që deklaruan se nuk do të votojnë: plot 17%, në krahasim me 13% në fillim të vitit.

Po ashtu “pulsi” tregon rënie në besimin e qytetarëve për lirinë e shprehjes së mediave (40%, krahasuar me 45% në prill 2014). Drejtori i PNUD-it në Kosovë, Andreë Rusell, tha se rënia e kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve dhe liderëve është shqetësues, por jo alarmante.

“Asnjëri nuk duhet të shqetësohet së tepërmi, në kuptimin se në çdo shoqëri demokratike ka periudha kur niveli i kënaqëshmërisë rritet apo bie. Kjo ndodh në mbarë botën, kështu që nuk ka arsye për panik. Por, ka arsye për shqetësim për ne, të cilët jemi këtu si agjenci teknike. Kjo për ne është një sinjal, që programi ynë duhet të adresojë edhe ofrimin e qeverisjes së mirë dhe kapacitetin e institucioneve publike, që të përgjigjen në mënyrë të hapur, llogaridhënëse dhe të përgjegjshme”, tha Andrew Rusell, drejtori i PNUD-it.

Në këtë raport, qytetarët janë pyetur edhe rreth radikalizmit fetar, ku 37 përqind e qytetarëve mendojnë se muslimanët në Kosovë janë ndikuar deri në një masë nga format ekstreme radikale të Islamit, sidomos gjatë dy viteve të fundit.

Top Channel