Miratohet në parim buxheti, BSH: Jo investime, nëse nuk ka para

14/11/2014 00:00

Banka e Shqipërisë ka dhënë për herë të parë opinionin e saj mbi buxhetin e shtetit për vitin të ardhshëm.

Por ndonëse e mbështesin në parim draftin, ekspertët e bankës qëndrore, kanë shprehur rezerva për planifikimin e të ardhurave, të cilin e quajtën optimist. Ndaj kërkuan nga Qeveria të rrisë fondin rezervë ose të bëjnë kujdes me kryerjen e investimeve.

“Në njëfarë mase është adresuar ky shqetësim nëpërmjet planifikimit të fondeve kontigjente, të cilat në gjykimin tonë, mund të kishin një hapësirë për të qenë edhe më të larta, pra për të përballuar një zhvillim të mundshëm të një realizimi më të ulët të të ardhurave, në raport me planin. Por një alternativë po ashtu e arsyeshme, që ka të bëjë me një zbatim të kujdesshëm të shpenzimeve kapitale përgjatë vitit, në mënyrë të tilë, që në njëfarë mënyrë te ndjekin ecurinë e realizimit të të ardhurave publike”, thotë Erald Themeli, drejtor i Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë

Veç buxhetit, gjatë raportimit në Komisonin e Ekonomisë, ekspertët e Bankës kanë komentuar edhe zhvillimet e ekonomisë.

“Në këto parametra që jemi të politikave makro-ekonomike, ekonomia shqiptare, brenda një horizonti afatmesëm, rreth 3 vjet, do të arrijë t’i mbyllë të dy hendeqet që ka. Pra, ekonomia duhet të konvergjojë në potencial, do të kemi rënie të papunësisë deri në normën natyrore të papunësisë dhe po ashtu inflacioni do të kthehet në objektivë në nivelin 3 për qind”, u shpreh Themeli.

Top Channel