Shqipëria kërkon sërish Eurobond

14/11/2014 00:00

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi se Shqipëria do të dalë
sërish në tregjet financiare për të rinovuar Eurobondin e marrë në vitin
2010. Zoti Cani tha se Qeveria po diskuton një sërë opsionesh dhe shumë
shpejt do të marrë vendimin final.

“Eurobondi i ri mendohet të jetë nga 5 në 10 vite, do të jetë monedha dollarë apo euro, do të ndjekim tregun ndërkombëtar për të vendosur. Shuma mund të jetë 300 milionë ose 500 milionë euro, kuptohet jo të prekim tavanet e borxhit, por të zëvendësojmë njërin borxh me tjetrin”, tha Cani.

Vitin e ardhshëm deficiti buxhetor, ose borxhi shtesë që Qeveria ka planifikuar të marrë për të financuar shpenzimet është 60.5 miliardë lekë ose 20 miliardë lekë më pak se këtë vit. Në raport me Prodhimin Kombëtar shifra e defiçitit ulet nga 6.4 në 4 për qind, duke bërë të mundur kështu që vitin tjetër stoku i borxhit publik të ulet për herë të parë pas disa vitesh rritje të shpejtë.  

Top Channel