Suedia, prova për nëndetësen e huaj

14/11/2014 00:00

Suedia ka publikuar fakte se një nëndetëse e huaj e vogël ka operuar në mënyrë të jashtëligjshme në ujërat e saj gjatë muajit të kaluar. Lajmi është bërë i ditur nga oficeri më i lartë ushtarak suedez, gjatë së premtes, pasi episodi misterioz shkaktoi mobilizimin më të madh ushtarak të vendit, që prej Luftës së Ftohtë.

Më shumë se 200 trupa ushtarakë, anije luftarake dhe helikopterë nisën kërkimet në ujërat e detit Baltik, pranë brigjeve të kryeqytetit Stokholm gjatë tetorit, pas raportimeve mbi “aktivitet të huaj nënujor”, por pa e gjetur apo pa e nxjerrë në sipërfaqe nëndetësen.

“Ushtria mund të konfirmojë se një nëndetëse e vogël ka shkelur ujërat territorial të Suedisë. Përjashtojmë të gjitha alternativat e tjera shpjeguese të këtij incidenti”, tha kreu i Forcave të Armatosura të Suedisë, Gjeneral Sverker Goransson në një konferencë për shtyp.

Ai tha se Suedia nuk ka mundur të identifikojë se cili vend është fshehur pas kësaj ndërhyrjeje, por prezenca e nëndetëses është kapur nga sensorët ushtarakë, tha Goransson. Për të mbrojtur dëshminë e tij, ai përfshiu edhe një foto, që tregonte një model flluske, tipike e shkaktuar nga zhytja e një nëndetëseje, si dhe një imazh të kapjes së valëve zanore nga hapësira nënujore.

Kryeministri Stefan Lofven tha se hyrja në ujërat territorialë të Suedisë është e papranueshme dhe se Suedia do të përforcojë kapacitetet e saj në kapjen dhe identifikimin e aktiviteteve të tilla.

“Do të mbrojmë integritetin territorial të Suedisë me të gjitha mënyrat e mundshme”, tha Lofven. “Gjuetia” ndaj nëndetëses reflektoi tensionet në një rajon ku qeveritë janë përditë e më të shqetësuar në lidhje me këmbënguljen ushtarake ruse apo rolit të Moskës në krizën e Ukrainës.

Suedia ka bërë të ditur tashmë se do të rrisë shpenzimet ushtarake, përfshi këtu blerjen e 70 avionëve të rinj ushtarakë dhe nëndetësve të reja, duke përmbysur kështu dekada të tëra “shpenzimesh minimale” për Forcat e saj të Armatosura.

Suedia ka qenë pranë NATO-s disa vjet më parë, por qeveria aktuale ka bërë të ditur se nuk synon anëtarësimin në aleancën e udhëhequr prej Amerikës.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel