Homazhe në nder të Albert Paparistos

15/11/2014 00:00

Në nder të figurës së muzikologut të njohur Albert Paparisto, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë, u zhvilluan homazhe pranë Universitetit të Arteve, ku morën pjesë mes të tjerësh, njerëz të arteve, ish-kolegë, përfaqësues të administratës shtetërore e familjare.

Profesor Paparisto u diplomua me rezultate të shkëlqyera për muzikologji në Konservatorin Cajkovski të Moskës në 1956-n, nën drejtimin e kompozitorit me famë botërore Dmitri Shostakoviç.

Me kthimin e tij në Shqipëri, Paparisto drejtoi i pari në 1958-n Teatrin e Operas dhe të Baletit, ndërsa katër vite më pas themeloi Konservatorin Muzikor të Tiranës, sot Universiteti i Arteve, ku transferoi aty bibliotekën dhe fonotekën personale për shkak të mungesës së literaturës asokohe, duke dhënë kontributin e tij ndër breza edhe si pedagog.

Ai njihet edhe si themelues i kritikës muzikore shqiptare, ndërsa ka kompozuar pjesë të ndryshme si veprat “Këngë e Lashtë”, “Humorska”, romanca vokale si “Liria”, “Nokturn”, “Hana”, një album me pjesë për violinë e orkestër dhe përpunime të këngëve popullore për kanto e piano.

Vitet e fundit porfesor Paparisto i kaloi në Miçigan të Shteteve të Bashkuara, vend ku edhe u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare.

Top Channel