Bushati: I gjithë rajoni në NATO

14/11/2014 00:00

Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ministri Bushati deklaroi se Shqipëria e shikon me pozitivitet afrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit në Aleancën Atlantiko-Veriore. Ai tha se Tirana do të bashkëpunojë me Serbinë dhe Kosovën, me qëllim që këto dy vende të kenë një perspektivë konkrete të anëtarësimit në NATO.

TCH: Zoti ministër, ju e keni takuar për herë të parë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s (që prej marrjes së detyrës në tetor). Cilat ishin temat kryesore të bisedës dhe a u përmend edhe vizita e fundit që ju zhvilluar në Beograd?

Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm: Diskutuam në radhë të parë mbi situatën e sigurisë në hapësirën euroatlantike dhe sfidat, me të cilat përballet sot kontinenti ynë, si për sa u takon zhvillimeve në Lindje, ashtu dhe Jug të Europës, e kam fjalën për Lindjen e Mesme, ku Ballkani dhe gjeografia e tij luan një rol të posaçëm. Në vendet e Ballkanit bëhet edhe më evident, për shkak të mungesës së strukturave efiçente të sigurisë dhe për shkak të vështirësive ekonomike, që të ashtuquajturit ‘luftëtarë të huaj’ të operojnë dhe të mund të rekrutojnë më me shpejtësi njerëz, se sa në vende të tjera. Mund t’iu them se bashkëpunimi ynë me aleatët kryesorë, e kam fjalën këtu për SHBA-të, ka qënë jashtëzakonisht efiçent për ta përballuar këtë fenomen. Së dyti, kemi ndryshuar tërësisht legjislacionin, dhe më vjen mirë që edhe një pjesë e mirë e vendeve të tjera kanë ndjekur modelin shqiptar, dhe kemi forcuar masat institucionale dhe bashkëpunimin ndërmjet agjencive të ligjzbatimit dhe agjencive të inteligjencës, e po bashkëpunojmë me të gjithë fqinjët në këtë drejtim. Gjithashtu, diskutuam për rolin dhe kontributet e Shqipërisë në aleancë dhe, zhvillimet në rajon ishin sigurisht pjesë e diskutimeve tona, duke përfshirë dhe ngjarjet më të fundit e raportet tona mes Shqipërisë dhe Serbisë.

TCH: Po përmendet shpesh, në fakt nga Beogradi, se Shqipëria po këmbëngul për të penguar integrimin e Serbisë në NATO. A është e vërtetë kjo?

Ditmir Bushati: Mund t’iu them se Shqipëria e sheh me pozitivitet afrimin e të gjitha vendeve të rajonit, pra edhe të Serbisë, edhe të Kosovës në NATO. Natyrisht që, procesi i anëtarësimit në NATO është një proces që bazohet në merita, në vlera të caktuara, në qëndrime dhe në reforma. Në këtë drejtim, ne do të bashkëpunojmë edhe me Serbinë, edhe me Kosovën, për të bërë të mundur që këto vende të meritojnë, në një perspektivë konkrete, anëtarësimin në NATO.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel