Fund projekteve kaotike të qyteteve

14/11/2014 00:00

Nga Elbasani, bashkinë e dytë më e madhe në vend që krijohet me ndarjen e re territoriale është prezantuar nisma e qeverisë për t’i dhënë fund projekteve kaotike të zhvillimit të qyteteve.

Asnjë projekt nuk do të bëhet më prej tyre, por do të jetë studio projektuese që do të kontraktohen pranë të cilave bashkitë do të aplikojnë. Paratë e projekteve do të jepen nga qeveria përmes një fondi që për këtë vit shkon në 1.5 milion euro, ndërsa ai për ndërtimin e tyre 125 milion euro, ndërsa buxheti i ri i vitit të ardhshëm parashikon shifra më të larta.

“Nëse ne i japim qyteteve tona hapësira publike, shëtitore, zona shëtitore që i promovojmë shumë fort, u krijojmë mundësinë qytetarëve tanë të mblidhen së bashku pa i kërcënuar nga makinat, të socializohen së bashku, ndërkohë që institucioni i kafenesë është një institucion sundues sot në jetën kulturore dhe sociale shqiptare. Ne nuk duam të jetë kështu. Ne duam që tek të rinjtë të zgjojmë interesin për institucione të tjera, për aktivitete të tjera, për kulturën, artin dhe sportin”, deklaroi zv.Kryeministri Niko Peleshi.

Kryetarët e bashkive duket se janë më të kënaqurit me mbështetjen financiare të qeverisë.

“Ne kur dëgjojmë që ka hap qeveria thesin për qytetet, edhe neve na shtohet oreksi dhe shtojmë projektet e reja”, deklaroi kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.

Mbështetja e qeverisë për Elbasanin, që së fundmi ka marrë para edhe për impiantin e trajtimit të mbeturinave, ka kapërcyer optimizmin e kryebashkiakut Sejdini.

“Është një dhënie e Ambasadorit Francez, që në Elbasan e kërkoi qendër të Europës Juglindore dhe unë shpresoj që Elbasani shumë shpejt të jetë qendër e Europës Juglindore”, deklaroi Sejdini.

Top Channel